Lidhje

Obama: Ndikimi ekonomik i rrjedhjes së naftës do të jetë i konsiderueshëm


Presidenti Barak Obama thotë se ndikimi ekonomik i rrjedhjes masive të naftës në Gjirin e Meksikës do të jetë i konsiderueshëm. Zoti Obama i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë, pasi u informua mbi gjendjen nga Admirali i Rojes Bregdetare të SHBA-së, Thad Allen, që drejton operacionin për ndalimin e rrjedhjes së naftës.

Presidenti tha se do që të sigurohet që gjigandi i naftës, kompania BP po reagon me shpejtësi ndaj ankesave të njerëzve, të cilët po vuajnë pasoja ekonomike për shkak të rrjedhjes së naftës.

Presidenti Obama tha se kërkon garanci që brigjet e Gjirit të Meksikës do të rimëkëmben plotësisht nga ndotja që ka prekur rezervatet e botës së gjallë dhe po kërcënon jetën e peshkatarëve dhe pronarëve të tjerë të bizneseve në rajon.

Po sot, admirali Allen u tha gazetarëve se kupola që u vendos mbi tubacionin e çarë nënujor, ka thithur një pjesë të konsiderueshme të naftës, rreth 11 mijë fuçi nafte në 24 orë.

Roja Bregdetare amerikane thotë se përpjekjet për të penguar përhapjen e rrjedhës së naftës në Gjirin e Meksikës duket se do të vazhdojë për disa muaj.

Përmes disa intervistash të dielën, admirali Thad Alled tha se kapuçi i instaluar javën e kaluar mbi të çarën e depozitës që rrjedh naftë po mbledh vetëm një pjesë së lengut të zi. Ai tha se shpimet e tjera përqark depozitës për të çliruar rrjedhën, nuk do të jenë gati deri në gusht.

Që nga shpërthimi i platformës pluskuese që kontrollonte pusin e naftës në brigjet e Luizianës me 20 prill duke vrarë 11 punonjës, kompania energjitike BP ka deshtuar në një numër përpjekjesh për të futur nën kontroll rrjedhën.

Zyrtatët e BP thonë se paisja në formën e një kapeleje e instaluar javën e kaluar po mbledh më shumë se 10 mijë fuçi nafte në ditë. Por zyrtarët përllogarisin se rreth 19 mijë fuçi naftë po rrjedhin çdo ditë nga e çara në fund të detit. Përllogaritjet variojnë rreth volumit total të naftës së derdhur në detë.

Ndotja nga nafta është përhapur në mbarë Gjirin e Meksikës, duke mbuluar zogjtë dhe botën tjetër të gjallë dhe duke kercenuar të shkatërrojnë industinë e peshkimit të atij rajoni.

XS
SM
MD
LG