Lidhje

Njolla e naftës në Gjirin e Meksikës i afrohet bregdetit të SHBA


Njolla e naftës në Gjirin e Meksikës i afrohet bregdetit të SHBA
Njolla e naftës në Gjirin e Meksikës i afrohet bregdetit të SHBA

Ekipet e emergjencës në Gjirin e Meksikës po përpiqen të dislokojnë pengesa gjigande përgjatë bregdetit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa një njollë gjigande nafte nga një pus thell në oqean po i afrohet tokës.

Administrata Obama deklaroi se përhapja e njollës së naftës ka një rëndësi kombëtare, një klasifikim ky që e bën më të lehtë për qeverinë federale të ndihmojë në pastrimin e zonës. Presidenti Obama u dha urdhër dje agjencive federale që të marrin masa agresive në përgjigje të gjendjes në Gjirin e Meksikës. Presidenti u kërkoi zyrtarëve të lartë që të shkojnë në rajon, dhe të përdoren të gjitha mjetet e disponueshme të qeverisë për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së njollës së naftës dhe në përpjekjet e pastrimit.

Guvernatori i Luizianës, Bobby Jindal shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa përhapja e njollës së naftës kërcënon zogjtë, peshqit, shpezët dhe kafshët e egra.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Wagner njofton se ekspertët kishin paralajmëruar se njolla e naftës mund të arrinte mbrëmë vonë në pjesë të deltës së lumit Mississippi në shtetin e Luizianës.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike thotë se bregdeti me rërë i deltës së Luizianës shtrihet drejtpërdrejtë në rrugën që ka marrë njolla gjigande e naftës ndërsa ajo përhapet drejt perëndimit.

Meteorologët thonë se errërat kanë vazhduar për disa ditë me radhë, duke bërë që njolla e naftës të përhapet nga platforma e dëmtuar e shpimit të naftës e firmës zvicerane, Horizon Deepwater. Platforma shpërtheu dhe u zhyt në oqean të premten e kaluar, duke shkaktuar plagosjen e disa punëtorëve dhe zhdukjen e 11 të tjerëve, të cilët mendohet se kanë vdekur.

Çarli Henri, kordinator shkencor në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike, thotë se zyrtarët e shtetit të Luizianës kanë vendosur pengesa prej mijëra metrash përgjatë bregdetit për të minimizuar dëmet e mundshme nëse njolla e naftës përhapet deri në breg.

"Ne po marrin masa nëse një fatkeqësi e tillë ndodh. Gjatë 5 ditëve të fundit, shteti i Luizianës është mobilizuar për të vendosur barriera".

Kompania British Petroleum, që po vinte në funksionim platformën e dëmtuar, thotë se ka vendosur gati 55 mijë metra barriera në Gjirin e Meksikës për të parandaluar njollën që të arrijë në breg. Ekspertët thonë se njolla gjigande e naftës, përveç Luizianës, mund të dëmtojë pjesë të shteteve Mississippi, Alabama, Florida dhe Texas, duke përfshirë zona të vlefshme peshkimi si dhe ekosisteme të mbrojtura.

Doug Suttles, shefi i operacionit të shpimit për kompaninë British Petroleum, thotë se ekipet e emergjencës vazhdojnë përpjekjet për të aktivizuar një valvul të madhe, e cila do të mbyllte pusin e naftës nën ujë, që mbeti e hapur nga shpërthimi i platformës së shpimit të naftës. Ai thotë se mënyra më e mirë për të kontrolluar këtë katastrofë të mundshme është të ndalohet rrjedhja e naftës nga pusi, që ndodhet 1.5 kilometra nën sipërfaqen e oqeanit.

"Nuk e di nëse do të jem në gjendje ta ndaloj rrjedhjen e naftës. Ajo që nuk dua të ndodhë është që kjo naftë të arrijë në sipërfaqen e oqeanit".

Ekspertët thonë se nga pusi rrjedh gati 800,000 litra naftë në ditë, duke e përhapur edhe më shumë njollën tashmë shumë të madhe të naftës.

Kompania British Petroleum thotë po ndërmer masa të tjera për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të njollës së naftës, si për shembull kalimin e rrjedhjes në një cisternë si dhe përdorimin e kimikateve në ujë për të shpërndarë njollën në pjesë më të vogla. Zyrtarët thonë se janë përpjekur t’i vënë zjarrin njollës së naftës në vendin ku ajo gurgullon në mënyrë që të frenohet përhapja. Ata do ta përsërisin këtë përpjekje në se lejojnë kushtet atmosferike.

XS
SM
MD
LG