Lidhje

50 vjetori i zhytjes historike të sondës oqeanike Trieste


50 vjetori i zhytjes historike të sondës oqeanike Trieste
50 vjetori i zhytjes historike të sondës oqeanike Trieste

Këtë vit është 50-vjetori i një ngjarje të rëndësishme në eksplorimin e oqeaneve. Në vitin 1960, sonda oqeanike Trieste e flotës amerikane u zhyt 11 kilometra thellë në Oqeanin Paqësor, në afërsi të bregdetit të Guamit dhe kjo arritje nuk është përsëritur më. Një gjysmë shekulli pas kësaj zhytjeje historike, bashkëdrejtuesi i sondës Trieste komentoi për këtë ngjarje dhe për rëndësinë e saj.

Në Muzeun e Flotës Detare Amerikane në Uashington Donald Uollsh tregon historinë e sondës Trieste e cila qëndron e ekspozuar prej vitesh.

“Kishim për detyrë të mirëmbanim dhe të punonim me batiskafe. Ishin shkencëtarët në laboratorin e flotës që vendosnin për projektet e eksplorimit dhe për pajisjet që do të përdoreshin për të bërë matjet dhe marrë mostrat nga nëndeti.”

50 vjet më parë, Uollsh, atëherë me gradën toger në flotën amerikane, ishte bashkëdrejtues i Triestes kur ajo u zhyt në thellësinë prej 11 mijë e 500 metrash, më thellë sesa lartësia e Malit Everest.

“Ku ka provë më të mirë për sigurinë e kësaj sonde se fakti që ne u zhytëm në pikën më të thellë të oqeanit dhe dolëm mbi sipërfaqe shëndoshë e mirë.”

Trieste është një mini-nëndetëse që lëviz vetë. Uollsh shpjegon se kjo duket si një nëndetëse e rregullt sepse ka kuvertën e saj, shinat, kullën e komandës dhe dhomën e pluskimit, e cila është e mbushur me karburant.

“Thjesht, është një balonë që zhytet në ujë. Ka dy pjesë: balonën e gjatë në formë cilindri. Kjo mbushet me lëndë më të lehtë se uji, siç është karburanti për avionë, duke e bërë nëndetësen të pluskojë. Ndërsa poshtë balonës ndodhet kabina ku rrinë njerëzit.”

Në kabinë ka hapësirë të mjaftueshme për dy persona. Në zhytjen historike të mini-nëndetëses Trieste, pilotë u caktuan zoti Uollsh me shkencëtarin zviceran Zhak Pikard—i ati i të cilit, Ogyst Pikard, ishte konstruktori i sondës. Më 23 janar 1960, Trieste filloi misionin e saj në det të trazuar. Gjithçka vajti si duhet deri në thellësinë nëntë kilometra e gjysmë, kur Uollsh thotë se u dëgjua një krismë e mbytur.

“Na bëri shumë merak. Por, nuk e dinim se ç’ishte. Vetëm dinim se ishim gjallë dhe gjithçka po shkonte në rregull.”
Krisma, siç u mësua më vonë, ishte shkaktuar nga një e çarë në xhamin e dritares ballore. Për fat të mirë, nga e çara nuk rodhi ujë dhe Trieste mbërriti, e padëmtuar, në pikën më të thellë të Paqësorit, pranë ishujve Mariane. Para se t’iu vështirësohej pamja për shkak të thellësisë, pilotët panë një peshk që jeton në fund të oqeanit.
“Ishte një specie e rrallë që ia vlente ta shinim.”

Mini-nëndetësja u ngjit në sipërfaqe e sigurt, duke përfunduar udhëtimin në pak më shumë se tetë orë. Uollsh thotë se Trieste u bë një shembull që do t’u shërbente të tjerëve në të ardhmen.

“Gjithçka që bëmë këtu u bë për herë të parë, jo për shkak se ishim shpikës, por sepse shpikjet bëhen për shkak të nevojës. Kur diçka bëhet e nevojshme, duhet shpikur.”

Kjo kryevepër teknologjike përfshinte drita, kamera, motorë dhe sisteme elektrike që funksionojnë nën ujë.
Asnjë njeri tjetër nuk është zhytur më në pjesën më të thellë të oqeanit, ndonëse një pajisje e telekomanduar arriti atje më 1995. Në vitin 2009, mini-nëndetësja pa pilot Nereus bëri të njëjtën rrugë, si pjesë e një projekti të Institucionit Oqeanografik “Woods Hole”. Uollsh i përshëndet përparimet në teknologji, por kritikon faktin se thellësitë e oqeaneve të botës kanë mbetur të pazbuluara dhe se vetëm disa sonda, me pilotë apo robotike, ekzistojnë për këtë qëllim.

XS
SM
MD
LG