Lidhje

Zhvendosje në aktivitetet terroriste nga Lindja e Mesme drejt Azisë jugore

  • David Gollust

Zhvendosje në aktivitetet terroriste nga Lindja e Mesme drejt Azisë jugore

Zhvendosje në aktivitetet terroriste nga Lindja e Mesme drejt Azisë jugore

Në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit, publikuar dje, thuhet se elementë të rëndësishëm të al-Kaidës, të cilët fshihen në Pakistan, vazhdojnë të jenë kërcënimi kryesor terrorist për Shtetet e Bashkuara. Raporti vjetor, i cili mbulon vitin 2009, citon një ndryshim në aktivitetet terroriste nga Lindja e Mesme në Azinë jugore.

Raporti bën fjalë për një rritje të veprimtarive terroriste në Azinë jugore. Për here të parë, raporti për terrorizmin në botë, që është autorizuar nga Kongresi amerikan, tregon se më shumë incidente ndodhën në Azinë jugore se sa në Lindjen e Mesme.

Russ Travers, zv. Drejtor i Qendrës Kombëtare për Kundërterrorizmin, u tha gazetarëve se nga gati 11 mijë incidente terroriste, që pati në 2009-tën, 75 për qind ndodhën në këto dy rajone.

"Në Lindjen e Mesme, gjatë 3-4 vjetëve të fundit, kemi parë një rënie të ndjeshme të numrit total të incidenteve. Dhe në Azinë jugore, incidentet janë shtuar dhe për here të parë, në vitin 2009, Azia jugore ka provuar të ketë më shumë akte dhune se sa Lindja e Mesme".

Raporti kategorizon si akte terroriste dhunën e paramenduar, me motive politike kundër individë jo-luftarakë.

Si numri total i sulmeve edhe gati 16 mijë viktimat e shkaktuara prej tyre tregojnë për një rënie të vogël krahasuar me vitin 2008.

Në përgjithësi, raporti përmban pak të papritura, dhe jo ndryshime nga viti i mëpërshëm për sa i përket përfshirjes së Iranit, Kubës, Sudanit dhe Sirisë në listen e shteteve sponsorizuese të terrorizmit.

Megjithatë, raporti tregon një rënie të ndjeshme në numrin e akteve terroriste në Irak, përkundrejt një rritje të madhe në Afganistan, ku si numri i sulmeve edhe viktimat e tyre u trefishuan.

Bashkërenduesi i kundërterrorizmit në Departamentin e Shtetit, Daniel Benjamin tha se bërthama e grupit terrorist al-Kaida të Osama bin Ladenit në Pakistan përbën kërcënimin më të madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe interesave të tyre.

Ai e cilësoi këtë grup si të përshtatshëm dhe të pa epur, por shtoi se vitin e kaluar këta elementë pësuan "zbrapsje të ndjeshme".

"Ky grup ishte nën një presion të madh në Pakistan për shkak të operacioneve ushtarake pakistaneze, që synojnë eliminimin e bazave militante në zonat fisnore të administruara nga qeveria qëndrore. Al-Kaida pësoi një numër humbjesh në udhëheqje dhe si rezultat pati vështirësi për grumbullimin e fondeve financiare, trajnimin e rekrutëve dhe planifikimin e sulmeve jashtë rajonit".

Zyrtarët shprehin shqetësim rreth grupeve si al-Shabab, i lidhur me al-Kaidën, me bazë në Somali. Zoti Benjamin tha se al-Kaida është përpjekur të inkurajojë grupet rajonale, që kanë lidhje me të, në Afrikën veriore dhe në Gadishullin Arabik, që të përcaktojnë një axhendë global.

Ai tha se shpërthimet e 11 korrikut kundër tifozëve të futbollit në Kampala duket se janë akti i parë terrorist i grupit al-Shabab jashtë Somalisë.

Në listën e shteteve të deklaruara si sponsorizuese të terrorizmit dhe objekt i sanksioneve të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara ende mbeten Irani, Kuba, Sudani dhe Siria. Por zoti Benjamin tha se Eritrea dhe Venezuela u përmendën si vende që nuk bashkëpunojnë plotësisht në përpjekjet kundërterrorizmit.

Koreja e Veriut u hoq nga kjo listë në vitin 2008 pasi nuk pati prova të lidhjes së saj me ndonjë akt terrorist.

Megjithatë, zyrtari i Departamentit të Shtetit Benjamin tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë njoftimet e fundit se Pheniani është përpjekur të dërgojë armë për talebanët në Afganistan dhe për Hamasin e Hezbollahun në Lindjen e Mesme.

"Ne i kemi parë këto raporte dhe po i shqyrtojmë ato. Sekretarja e Shtetit Klinton dhe zyrtarë të tjerë të administrates e kanë bërë të qartë se nëse ne gjejmë prova se Koreja e Veriut në fakt sponsorizon terrorizmin, natyrisht që ne do të rishqyrtojmë vendimin për heqjen e këtij vendi nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit".

Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar mbytjen e një anijeje të marinës së Koresë së Jugut, akt që i është atribuar Koresë së Veriut, si një akt ushtarak mes dy vendeve, që janë teknikisht në luftë, dhe jo si një incident terrorist.

XS
SM
MD
LG