Lidhje

Presidenti i BE në Tiranë: Heqja e vizave një hap larg realizimit


Presidenti i BE në Tiranë: Heqja e vizave një hap larg realizimit
Presidenti i BE në Tiranë: Heqja e vizave një hap larg realizimit

Shqipëria ndodhet përballë dy vendimeve të rëndësishme që Bashkimi Europian pritet të marrë në fillim të tetorit: atë që lidhet me liberalizimin e vizave dhe tjetën që ka të bëjë me opinionin e Komisionit Europian për kërkesën për statusin e vendit kandidat. Presidenti i Bashkimit Europian i cili erdhi sot në Tiranë në përfundim të një turi të tij ballkanik, konfirmoi pas takimit me kryeministrin Sali Berisha mesazhet optimiste për cështjen e vizave: “Liberalizimi i vizave për Shqipërinë është tashme vetëm një hap nga realizimi i tij. Unë kam besim se ky hap do të ndërmerret shumë shpejt.”

Presidenti Van Rompuy preferoi të mos spekulonte, sic tha ai, mbi opinionin e pritshëm të Komisionit Europian:

“Sido qe të jetë opinioni ka për të qenë i drejtë dhe objektiv. Ky opinion do të pasqyrojë situatën në vend, duke u dhënë meritat e duhura arritjeve të Shqipërisë dhe duke evidentuar apo identifikuar sfida të reja për të ofruar udhëzime të tjera për të ardhmen e Shqipërisë në reformat e saj”.

Presidenti Rompuy theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian mbetet e gjatë. “Demokracia dhe shteti i së drejtës do të jenë të një rëndësie të vecantë për të ardhmen. Progresi i qëndrueshëm në fushat si shteti i së drejtës, reforma në gjyqësor apo lufta kundër krimit të org dhe korrupsionit mbeten cështje kyce”, tha ai duke nënvizuar se “reformat duhet të zbatohen në mënyrë efikase”. Duke ju drejtuar kryeministrit Berisha, presidenti i BE tha se “qeveria juaj është mjaft mire në dijeni të sfidave që ka përpara. Sigurisht, Bashkimi Evropian do t’ju mbështesë ju në përpjekjet tuaja, por përgjegjësia kryesore për progres i mbetet Shqipërisë dhe udhëheqjes së shqiptarëve”.

Kryeministri Sali Berisha nga ana e tij persëriti edhe një herë se raportet dhe vlerësimet e Brukselit përbëjnë bazën e punës për qeverinë shqiptare. “Unë e garantova Presidentin se qëndrimi i qeverisë time do të jetë shndërrimi i këtij raporti në një program pune të vërtetë, për të afruar gjithnjë e më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian”.

Kryeministri Berisha deklaroi se procesin e integrimit qeveria e tij e sheh si një proces të bazuar tërësisht në meritat dhe arritjet e vendit.

XS
SM
MD
LG