Lidhje

Nisma e Parlamentit Evropian për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri mbyllet pa sukses

  • Armand Mero

Nisma e Parlamentit Evropian për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri mbyllet pa sukses

Nisma e Parlamentit Evropian për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri mbyllet pa sukses

Nisma e Parlamentit Evropian për të ndërmjetësuar gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në Shqipëri mbyllet pa sukses. Pas gati një muaj që nga përpjekja e parë e drejtuesve të dy grupimeve më të mëdha të së djathtës dhe së majtës europiane, Joseph Daul dhe Martin Schulz, të cilët organizuan në Strasburg takimin mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës Edi Rama, mbrëmë në një deklaratë të përbashkët, ata shprehën keqardhje që qeveria dhe opozita shqiptare nuk mundën të kapërcejnë diferencat mes tyre, duke mos qenë kështu në gjëndje për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm të domosdoshëm për të arritur ambicjet europiane të vendit, shkruhet në deklaratë.

Ndërhyrja e parlamentarëve europian në momentin kur përplasja mes qeverisë dhe opozitës për çështjen e hetimit të zgjedhjeve kishte arritur kulmin dhe mbështetja që ata patën nga Komisioni dhe Bashkimi Europian përmbysi në një farë mënyre klimën politike në Shqipëri duke e çtensionuar atë.

Greva e urise e deputeteve të opozitës u ndërpre, ata u rikthyen plotësisht në jeten parlamentare duke marrë pjesë në komisione dhe në debatet në sallë. Angazhimi i drejtuesve të dy grupimeve më të mëdha të së djathtës dhe së majtës europiane, Joseph Daul dhe Martin Schulz ishte i plotë dhe përgjatë katër javëve që nga letra e parë me anë të së cilës propozonin takimin e Strasburgut, ka patur takime të tjera të shumta në nivele të ndryshme.

Por duket se dallimet mes palëve në Shqipëri janë aq të thella sa edhe ndërhyrja e Këshillit të ministrave të jashtëm të Bashkimit europian të hënën nuk ndryshoi dot rrjedhën e ngjarjeve. Ndërsa mbrëmë europarlamentërt u dorëzuan duke hequr dorë të vazhdojnë përpjekjet për të afruar palët.

"Na vjen sinqerisht keq që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë diferencat mes tyre, e për pasojë duke mos qenë kështu në gjëndje për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm të nevojshëm për të arritur ambicjet europiane të vendit", shkruhet në deklaratën e përbashkët që zotërinjt Daul dhe Schulz shpërndanë mbrëmë.

Dy drejtuesit e grupimeve kryesore politike të parlamentit europian bëjnë të qartë, ndonëse me terma të butë se përgjegjësia për të ardhmen e integrimit europian të Shqipërisë është në duart e udhëheqësve të saj:

"Ne vazhdojme të mbështesim rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian sipas kritereve të Kopenhagenit, sikundër dhe kritereve të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit 2006, mbi konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që lidershipi politik shqiptar kupton mirë se kapërcimi i kundërshtimeve aktuale politike është kyc për përparimin e vendit në integrimin europian dhe për promovimin e aspiratave europiane të qytetarëve shqiptare".

Duke rimarrë një nga paragrafët e përfundimeve të Këshillit europian të tre ditëve më parë ne deklaratën e tyre europarlamentarët shtojnë se " është përgjegjësi e qeverisë së Shqiperisë, së bashku me opozitën për të gjetur sic duhet, në mënyrë transparente e në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet ndaj ngërcit aktual dhe mënyrat e përparuara të cilat do t'i nevojiten vendit në rrugën drejt BE-së".

Në të vërtetë deklarata e eruoparlamentarëve Daul dhe Schulz është mjaft më e butë se letra e tyre e parë në të cilën ata paralajmëronin se preferonin të kërkonin pezullimin e procesit të vlerësimit të kerkeses se Shqipërisë per statusin e vendit kandidat nga komisioni europian se sa të jepej një rekomandim negativ, apo deklaratat deri diku kërcënuese të zëvëndësave të tyre se pa një zgjidhje parlamenti europian mund të bllokonte procesin e liberalizimit të vizave.

Ata tani duket se i druhen rikthimit të klimës politike në pikën e mëparshme ndërsa kërkojnë nga opozita të qëndrojë në Parlament e të vazhdojë punën e saj, dhe nga ana tjeter bëjnë thirrje që “qeveria së bashku me opozitën të ketë si synim një reformë të sistemit zgjedhor dhe procedurave parlamentare”.

XS
SM
MD
LG