Lidhje

Vazhdojnë debatet dhe protestat kundër ndërtimit të qendrës islamike në Kuotën Zero të Nju Jorkut


Vazhdojnë debatet dhe protestat kundër ndërtimit të qendrës islamike në Kuotën Zero të Nju Jorkut
Vazhdojnë debatet dhe protestat kundër ndërtimit të qendrës islamike në Kuotën Zero të Nju Jorkut

Qendra islamike e propozuar për tu ngritur pranë vendit ku ndodhën sulmet terroriste të vitit 2001 në Nju Jork vazhdon të ngjallë debate. Pozicionet e ndryshme janë të bazuara në pikëpamjet e secilës palë për liritë amerikane siç tregoi edhe një protestë e zhvilluar këto ditë në Manhatan. Kundërshtarët e qendrës protestuan kundër projektit. Përkrahësit u mblodhën dy blloqe më tutje, ndërsa teleshikuesit në të gjithë vendin dëgjonin shpjegimet që jepnin të dyja palët.

Protesta kundër qendrës ishte njoftuar ditë më parë dhe tërhoqi një turmë njerëzish që mbushi një rrugë të qytetit.
Ata brohorisnin folësit që denonconin qendrën e propozuar islamike si një poshtërim ndaj viktimave të terrorizmit. Një pankartë e shpalosur prej tyre shprehte një tjetër shqetësim të kundërshtarëve. Aty shkruhej, “Ndale sheriatin para se ai të të ndalë ty”.

"Të mbështesësh sheriatin është një akt tradhëtie kundër Amerikës," tha Robert Lawrence, i cili u prit me duartrokitje të shumta kur tha se Presidenti Obama, kryetari i bashkisë së New Yorkut Bloomberg dhe politikanë të tjerë po shkelin kushtetutën amerikane duke mbështetur të drejtën e myslimanëve për të ndërtuar një qendër islamike kaq pranë kuotës zero – vendin e ish Qendrës Botërore të Tregëtisë.

Duke folur për kërcënimin e pritshëm që vjen nga sheriati, organizatorja e protestës Beth Galinsky citoi raste në vende ku fondamentalistët islamikë qëllojnë me gurë për vdekje njerëz, u mohojnë arsimin grave dhe shtypin jo-myslimanët.
"Kur të thuhet të pranosh si të barabarta me sistemin tënd të vlerave, atë sistem që është i vrazhdë dhe mizor, do të ngrihemi në mbarë vendin dhe do të deklarojmë, “më vjen keq imam, por sheriati nuk është ligj i mirë për gratë dhe gjallesat e tjera."

Imami, të cilit ajo i referohet është Feisal Abdul Rauf, i cili qëndron pas qendrës së propozuar islamike. Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara 45 vjetë më parë. Tani ai po bën një turne të sponsorizuar nga Departamenti i Shtetit. Rauf përfaqësonte Amerikën në botën myslimane gjatë presidencës së George Bushit.

Bashkëshortja e tij, Daisy Khan, doli në programin e kanalit ABC "This Week" . Ajo tha se vizioni i bashkëshortit të saj për qendrën është i modeluar sipas qendrave të ngjashme kristiane dhe hebraike që janë të hapura për të gjithë amerikanët.

"Do të ketë një auditorium me 500 vende; do të ketë pishinë dhe qendra sportive; do të ketë klasa për gatim, shkolla, forume edukimi dhe konferenca. Do të jetë një vend ku mund të shkëmbehen ide."

Përkrahësit e qendrës islamike u mblodhën dy blloqe larg asaj që shumë kundërshtarë e quajnë xhamia e kuotës zero. Shumë kritikë besojnë se Khan dhe bashkëshorti i saj kanë motive të tjera për ndërtimin e qendrës dhe se ata përfaqësojnë një besim që bie ndesh me vlerat amerikane. Përkrahësit e besojnë çiftin dhe i pranojnë ata si qytetarë të devotshëm amerikanë.

Ka pak shenja për kompromis. Khan thotë se qendra islamike duhet të ndërtohet pasi bëhet fjalë për shumë vlera. Disa folës në mitingun e kundërshtarëve thanë se ajo nuk duhet të ndërtohet pasi rrezikon liritë amerikane.

XS
SM
MD
LG