Lidhje

19 të vrarë pas të shtënave me armë zjarri në Çeçeni


Autoritetet ruse thanë se 19 persona janë vrarë pas të shtënave me armë zjarri mes rojeve personale të udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov dhe personave që dyshohet se ishin kryengritës.

Njoftohet se të paktën pesë civilë ishin në mesin e të vrarëve në fshatin juglindor Tsemori, së bashku me 12 prej autorëve të sulmit dhe dy oficerë të sigurisë. Në fshatin që ndodhet afër kufirit me Dagestanin, jetonin të parët e udhëheqësit Kadyrov.

Një zëdhënës i qeverisë tha se në momentin kur ndodhi sulmi, presidenti Kadyrov ishte në fshat dhe udhëhoqi operacionin kundër kryengritësve. Zyra e tij e shtypit mohoi njoftimet e mediave se në mesin e të vrarëve kishte edhe civilë, por sipas zyrës së shtypit disa fshatarë ishin plagosur gjatë këtij sulmi.

Regjistrimet filmike të transmetuara në televizion tregojnë forcat e sigurisë duke tërhequr zvarrë trupat pa jetë të autorëve të sulmit dhe një numër armësh automatike që u gjetën në vendin e ngjarjes. Ky është sulmi i dytë kundër të emëruarit të Kremlinit në 8 javët e fundit.

XS
SM
MD
LG