Lidhje

BE: 16 vendet që përdorin euron u rritën me ritme më të larta se pritej


BE: 16 vendet që përdorin euron u rritën me ritme më të larta se pritej
BE: 16 vendet që përdorin euron u rritën me ritme më të larta se pritej

Bashkimi Evropian tha se në tremujorin e dytë të vitit, ekonomitë e të 16 vendeve që përdorin euron u rritën me ritme më të larta se pritej. Sipas Eurostat-it, ekonomitë e Eurozonës u rritën 1 përqind më shumë se në tremujorin e parë. Shifrat e tanishme përbëjnë një rritje prej rreth 2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar dhe ia kalojnë asaj në Shtetet e Bashkuara. Analistët thonë se shtytjen më të madhe e dha ekonomia gjermane e cila gjatë tremujorit të dytë u rrit 2,2 përqind. Rritja ekonomike në Gjermani, më e madhja në 23 vjet, u ndihmua nga shitjet në industrinë e ndërtimit dhe nga shtimi i eksporteve.

Qeveritë kudo në Evropë, sidomos në Greqi, Spanjë, Irlandë dhe Portugali po shkurtojnë shpenzimet dhe po rrisin taksat për të ulur nivelet e borxhit duke i privuar ekonomitë e tyre nga stimulimi me anë të shpenzimeve qeveritare.

Ndërkohë, partneri i tyre i madh tregtar, Shtetet e Bashkuara po shfaq shenja dobësie.

Shifrat ekonomike në Evropë flasin për pabarazi në rritjen ekonomike mes vendeve të ndryshme dhe ekzistojnë shqetësime se një numër vendesh do të mbeten në recesion ose do të fillojnë të tkurren përsëri. Eurozona doli nga recesioni i thellë vetëm në tremujorin e tretë të 200-s.

Ndërsa Gjermania shfaqi rritjen më të madhe dhe rritja e Francës ishte 0.6 përqind, vende të tjera si Greqia vazhdojnë të jenë në recesion. Ekonomia greke u tkurr 1,5 përqind në tremujorin e dytë.

Tani për tani, Bashkimi Evropian mendon se rritja ekonomike e Gjermanisë po u jep vendeve të zhytura në borxhe më shumë hapësirë për të rregulluar gjendjen e tyre financiare.

"Mendojmë se nga kjo mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së, pra është një lajm shumë i mirëpritur, tha zëdhënësi i BE-së, Amadeu Altafaj Tardio.

Megjithatë, si zoti Altafaj Tardio ashtu edhe ministri gjerman i ekonomisë, Rainer Bryderle e pranuan se nuk ka vend për vetkënaqësi dhe se vendet evropiane duhet të vazhdojnë me planet e tyre të konsolidimit financiar dhe me reformat strukturore.

"Nuk mund të flasim për një mrekulli por pa dyshim që fjala është për një tendencë për rritje,” tha zoti Byderle.

Duke folur për gazetarët në brigjet e liqenit Constance, zoti Bryderle tha se rritja prej më se 2 përqind është tani e mundur për të gjithë vitin 2010, pra shumë më tepër se sa parashikimi zyrtar i bërë nga qeveria në shifrat 1,4 përqind.

Rritje shënoi edhe ekonomia e Bashkimit Evropian në përgjithësi ku përfshihen të 27 vendet, mes tyre edhe vende që nuk i përkasin eurozonës si Britania dhe Suedia.

Ekonomia amerikane u rrit 2,4 përqind në tremujorin e dytë, sipas Departamentit të Tregtisë, megjithëse kjo shifër mund të rishikohet më vonë dhe të rezultojë më e ulët.

XS
SM
MD
LG