Lidhje

Sarkozi i jep urdhër policisë që të hapë pikat e karburantit

  • Zëri Amerikës

Sarkozi i jep urdhër policisë që të hapë pikat e karburantit

Sarkozi i jep urdhër policisë që të hapë pikat e karburantit

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy i dha urdhër policisë që të ndërhyjë për të hapur depot në pikat e karburantit, ndërkohë që protestuesit vazhdojnë të demonstrojnë kundër reformave të pensionit.

Autoritetet franceze ndërhynë për të hapur depot e naftës, të mbyllura nga greva, për të garantuar furnizimin me karburant. Ministri i Mbrojtjes Brice Hortefeux ka paralajmëruar ndërkaq se do të dërgojë policinë paraushtarake që të frenojë trazirat në protestat kundër rritjes së moshës së pensionit, duke e çuar atë në 62.

Demonstratat paqësore kundër reformës së pensioneve që pritet të votohet nesër nga Senati, morën një kthesë të dhunshme ditët e fundit. Sindikatat kërkojnë që qeveria të rinegociojë, duke thënë se projekt-ligji kërcënon mbrojtjet sociale të siguruara me vështirësi. Përfaqësuesi i një sindikate, Charles Foulard, thotë se është e qartë që jeta e punëtorëve dhe kompanive është vështirësuar.

“Por është përgjegjësia e qeverisë. Dhe përsa u takon rrogave të kompanive, ne po u kërkojmë atyre që ngasin makinat të hyjnë në grevë. Për 48 orë problemi zgjidhet”.

Presidenti Nikola Sarkozi dhe qeveria e tij kanë mbetur të vendosur, duke këmbëngulur se reformat janë thelbësore për të shpëtuar sistemin e pensioneve.

“Nuk besoj se protestat do të sjellin ndonjë rezultat. Nuk besoj se qeveria do ta ndryshojë qëndrimin”.

Qytetarët që nuk po mbushnin dot makinat me karburant, po e humbisnin durimin.

“Nuk duroj dot më. Kam tre ditë që përpiqem të gjej një pikë karburanti që furnizon me naftë”, tha një qytetare.

Gjatë natës autoritetet ndërhynë për të hapur tre depo me karburant në Francën perëndimore bllokuar nga punëtorët prej ditësh, tha Ministri i Mbrojtjes Hortefeux.

“Hapja e depove u bë pa incidente dhe bën të mundur shpërndarjen e miliona litrave karburant në perëndim të Francës, që ishte prekur më shumë nga mungesat”.

Grevat dhe protestat aktuale janë veçanërisht shqetësuese sepse kanë prekur sektorin jetik të energjisë dhe kanë përfshirë edhe të rinjtë, një grup me reagime të paparashikueshme. Protestat kanë bërë që të bllokohet furnizimi me karburant në 25 për qind të pikave të karburantit të Francës.

Gjatë javës së fundit, mbi 1 mijë e 400 vetë janë ndaluar për shkak të incidenteve të dhunshme në protesta.

Protesta të tjera u zhvilluan sot, një ditë pasi policia franceze tha se mbi 1 milion njerëz protestuan kundër legjislacionit për ngritjen e moshës së pensionit nga 60 në 62 vjeç.

Sindika e punëtorëve CGT tha se 3.5 milion njerëz morën pjesë në demonstrata, të cilat shkaktuan mbylljen e qindra shkollave e pengesa në trafikun ajror dhe hekurudhor. Disa prej protestave u shoqëruan me dhunë.

XS
SM
MD
LG