Lidhje

Erik Holldër: Nuk ka të ngjarë që Bin Ladeni të kapet gjallë


Erik Holldër: Nuk ka të ngjarë që Bin Ladeni të kapet gjallë
Erik Holldër: Nuk ka të ngjarë që Bin Ladeni të kapet gjallë

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder tha se autoritetet e rendit ende vazhdojnë përpjekjet për të arrestuar, të gjallë nëse është e mundur, më të kërkuarin e Grupit Al-Kaida, terroristin Osama Bin Laden. Zoti Holder dëshmoi dje para Komisionit Juridik të Senatit, ku mbështeti politikat që po ndjek Presidenti Obama, mbi trajtimin e të arrestuarve për terrorizëm.

Prokurori i përgjithshëm Holder u përpoq të qartësonte komentet e bëra muajin e kaluar, kur tha se terroristi Osama Bin Laden nuk do të dilte në gjyq në sistemin federal amerikan. Zoti Holder tha se arsyea që ai u shpreh kështu, është fakti se raporte të shërbimit sekret amerikan thonë se rojet e Bin Ladenit janë nën urdhra që të mos lejojnë arrestimin e Bin Landenit, nëse ai gjendet i rrethuar nga forcat amerikane.

Zoti Holder e bëri të qartë se Bin Ladeni vazhdon të mbetet personi më i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për t’u arrestuar, dhe nëse është nevoja, edhe të vritet.

“Shpresa jonë është që ta kapim të gjallë dhe ta marrim në pyetje, për të marrë informacione mbi planet dhe strukturën e Al-Kaidës”.

Xhef Seshëns, anëtari republikan me peshë i komisionit, that se duhet një strategji e qartë se si të veprohet me Bin Ladenin nëse ai kapet.

Senatori Seshëns nga Alabama tha se është i shqetësuar nga debatet e administratës së presidentit Obamës nëse do ta nxjerrë apo jo para gjykatës federale të Nju Jorkut, terroristin Khalid Sheik Mohamed, që mendohet të jetë organizatori kryesor i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

“Medoj se vendimi më i thjeshtë dhe logjik në këtë rast do të ishte që kjo çështje të gjykohej nga komisionet ushtarake”.

Zoti Holder tha se akoma nuk është marrë një vendim se ku do të gjykohet terroristi Khalid Sheik Mohamed, apo terroristë të tjerë të njohur. Ai tha se Nju Jorku vazhdon të jetë një alternativë e mundshme.

Shumica e ligjvënësve republikanë dhe shumë demokratë janë kundër planit për të gjykuar Muhamedin në gjykatën federale të Nju Jorkut, pasi ata mendojnë se kjo do të përbënte një rrezik për sigurinë si edhe do t’i jepte Muhamedit një mundësi të veçantë dhe shumë publike për të shprehur idetë e tij anti-amerikane.

Prokurori i Përgjithshëm iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me planet e Presidentit Obama për mbylljen e burgut në Guantanamo të Kubës, dhe se kur mund të ndodhë kjo.

Senatori republikan Lindsi Graham, nga shteti i Karolinës së Jugut, ka qënë për një kohë të gjatë kritik i Kryeprokurorit Holder dhe politikave të administratës lidhur me trajtimin e të dyshuarve për terrorizëm. Por senatori Graham dhe zoti Holder janë dakort se qeveria nuk duhet të vazhdojë të dërgojë të dyshuarit për terrorismën në Guantanamo, dhe se presidenti duhet të bashkëpunojë me Senatin për të gjetur një qendër tjetër ku të dërgojë personat e dyshuar. Zoti Graham shprehu kënaqësi që zoti Holder ishte dakort mbi këtë fakt.

“Kjo është si muzikë për veshët e mi pasi edhe unë mendoj të njëjtën gjë. Ne na duhet një qendër arresti e sigurtë. Disa mendojnë se duhet të vazhdojmë të përdorim Guantanamon. Unë nuk jam dakort. Ne duhet të dëgjojmë komandantët dhe të gjejmë një ndërtesë tjetër që plotëson kushtet e nevojshme në kuadër të kësaj lufte të vështirë kundër terrorizmit”.

Zoti Graham tha se ai mbështet idenë që disa prej të dyshuarve si terroristë të gjykohen në gjykata federale, duke rënë dakord kështu me zotin Holder se vendime të tilla duhet të merren në baza individuale. Senatori Graham ka marrë rolin e negociatorit me Shtëpinë e Bardhë mbi politikat për trajtimin e të dyshuarve terroristë, në kuadër të përpjekjeve ndër-partiake për të gjetur një zgjidhje se ç’duhet bërë me ata që tashmë janë kapur dhe ata që mund të kapen në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG