Lidhje

Hong Kongu vazhdon të jetë një qendër e fuqishme ekonomike

  • Jim Stevenson

Hong Kongu vazhdon të jetë një qendër e fuqishme ekonomike

Hong Kongu vazhdon të jetë një qendër e fuqishme ekonomike

Mënyra se si pushteti u transferua në vitin 1997 në Hong Kong nga Britania tek Kina bëri që shumë ekonomistë të thoshin se shkëmbimet ekonomike do të veniteshin në qytetin historikisht energjik. Ky vlerësim duket se ishte i parakohshëm, në mos tërësisht i gabuar.

Hong Kongu vazhdon të jetë një qendër ndërkombëtare në lulëzim, duke u radhitur pas Londrës dhe Nju Jorkut. Duke folur në Institutin Brookings në Uashington, Uilliam Ovërholt, një studiues i shquar në universitetin e Harvardit, tha se tregu i aksioneve të Hong Kongut u rrit edhe në mesin e krizës financiare globale.

"Realiteti është ky, në regjistrimet e reja, gjatë krizës Kina dhe veçanërisht Hong Kongu doli përpara bursës së Nju Jorkut. Hong Kongu publikoi rreth 50 përqind më shumë aksione sesa bursa e Nju Jorkut. Nasdaku është ende më i madh si treg. Po ti mbledhësh së bashku shkëmbimet e aksioneve kineze ato janë më tepër sesa ato që kryhen në Londër dhe Nju Jork. Ashtu si ndodh shpesh me paragjykimet, perceptimet se kthimi nën kontrollin e Kinës do ta dëmtonte Hong Kongun janë e kundërta e realitetit”.

Por, ai shton se Hong Kongu nuk është udhëheqës në çdo sektor financiar.

"Në se shohim tregjet e bonove, historia është ndryshe. Tregjet aziatike të bonove janë të mëdha në vende ku qeveria merr shumë borxhe.Hong Kongu nuk ka borxhe kështu që është pas vendeve si Tokio dhe Seuli. Ky treg nuk do të zhvillohet deri sa të krijohet një treg bonosh i korporatave kineze.”

Sistemi ligjor i Hong Kongut mbetet i njëjtë me atë që ishte gjatë regjimit britanik.Ovërholt thotë se ky fakt ka tërhequr shumë kompani nga Kina në tregun e Hong Kongut.

"Ata duan të operojnë sipas ligjeve kapitaliste, sipas sistemit ligjor ndërkombëtar. Ata duan të fitojnë përvojë në operacionet e tyre ndërkombëtare dhe kërkojnë që analistët e Hong Kongut të mbulojnë kompanitë e tyre. Ka patur një valë të madhe kompanish kineze që janë regjistruar në Hong Kong dhe si rezultat në vend që të ishte kryesisht një treg pronësish ashtu siç ishte deri në vitin 1997, Hong Kongu tani ka kompani teknologjike, ndërtimi, minierash dhe nëntë nga kompanitë më të mëdha të regjistruara në Hong Kong janë nga Kina”.

Majkëll Martin është një specialist në marrëdhëniet aziatike dhe ato me jashtë. Ai thotë se fluksi i firmave kineze ka sjellë gjithashtu disa probleme të shmangies së taksave.

"Ka një numër kompanish kineze që përpiqen të përdorin Hong Kongun për të mashtruar me taksat në Kinë. Ata praktikisht lëvizin paratë e tyre në mënyra të ndryshme në Hong Kong për të mënjanuar mbikëqyrjen në Kinë”.

Uilliam Ovërholt thotë se Hong Kongu është kaq tërheqës për shkak të mundësive për kompanitë për të operuar të lirë në tregëtinë ndërkombëtare.

"Ka liri veprimi, liri të tregëtisë. Është siguria e operimit në sistemet ligjore ndërkombëtare, rregullat e të cilave janë të njohura. Kontratat njihen në Kinë kur je i regjistruar jashtë vendit. Pra këta partnerë duan të bëjnë fitime sipas rregullave të parashikuara dhe me sa më pak ndërhyrje politike. Nuk është shumë ndryshe nga kapitalistët kudo gjetkë. Ata duan të jenë kapitalistë. U pëlqen të bëjnë para”.

Donald Tong është Komisioner për Marrëdhëniet Ekonomike dhe Tregëtare në Hong Kong. Ai thotë se lehtësia e lëvizjes nxit tregëtinë në Hong Kong.

"Turistët, investitorët dhe ekonomitë e huaja luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve me jashtë dhe ekonomi të tjera. Në këtë moment, qytetarë nga rreth 170 vende dhe territore në mbarë botën, përfshi Shtetet e Bashkuara mund të vijnë pa viza në Hong Kong”.

Ai shton se prania e korparatave amerikane vazhdon ta mbajë të fuqishme tregëtinë e Hong Kongut.

"Ndërsa shumë kompani të huaja mund të kenë zgjedhur të shkojnë direkt në Kinë, një numër i madh kompanish kanë vendosur të ngrihen ose të zgjerojnë praninë e tyre në Hong Kong. Në vitin 2008 kishte mbi një milionë amerikanë që vizitonin ose banonin në Hong Kong.

Tong shton se pavarërisht madhësisë të vogël gjeografike të Hong Kongut, ai radhitet i 11-ti mes vendeve udhëheqëse në tregëti në vitin 2009 me 2,7 përqind të tregëtisë së përgjithshme botërore. Në vitin 2009 vlera e tregëtisë totale të Hong Kongut arriti në 666 miliardë dollarë ose 316 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të Hong Kongut.

XS
SM
MD
LG