Lidhje

Vazhdon debati rreth ndërtimit të një qendre kulturore islamike në Nju Jork

  • Zherom Sokolovski

Plani për të ndërtuar një qendër kulturore islamike që do të përfshinte edhe një xhami, pranë vendit ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit, 2001 ka hapur një debat të ashpër kombëtar. Ky debat ka të bëjë si me lirinë e besimit në këtë vend, ashtu edhe me pamundësinë për të nderuar siç duhet vendin e sulmeve terroriste.

Kushtetuta amerikane krijon atë që shpesh quhet “një mur ndarës” mes kishës dhe shtetit. Jo vetëm që qeveria nuk mund të ndërhyjë në çështjet fetare, por pakicave u garantohet liri e plotë besimi.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg ka thënë se qendra islamike mund të jetë prova më e rëndësishme për ndarjen e kishës dhe shtetit në Amerikë që ne mund të shikojmë gjatë jetës sonë.

Por studiuesit thonë se në realitet, liria fetare nuk është absolute. Ata thonë se pakicat fetare shpesh kanë zgjedhur të mos e trazojnë shumicën e krishterë protestane.

Xhon Farina është profesor studimesh fetare në Universitetin George Mason. Ai thotë se kur Merilendi u krijua si një koloni katolike, katolikët përgjithësisht i mbanin meshat në fermat e tyre në vend që të ndërtonin kisha të mëdha.

Ai tha se kjo sjellje vazhdon tani kur priftërinjtë janë nën presionin e ruajtjes së doktrinës së kishës dhe refuzojnë të bekojnë politikanët katolikë që mbështesin të drejtat e abortit.

“Dhe vazhdimisht kisha katolike ka prirjen të akomodojë”.

Farina shton se lëvizja e reformimit, që është grupimi më i madh hebraik në Amerikë, prej kohësh e ka vënë theksin tek përputhja e hebrenjve me kulturën amerikane dhe jo tek dallimet.

Kundërshtarët e qendrës islamike thonë se duhet të ngrihet më larg kuotës zero për të treguar respekt për familjet e mbi 2 mijë 700 njerëzve që humbën jetën në sulme.

Fuad Axhami është profesor i studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin Xhons Hopkins dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin Huver të Universitetit të Stanfordit.

“Çdo liri që kemi në botë, çdo liri që kemi në shoqëri, vihet përballë me respektin ndaj kujdesit, nevojës, përmbajtjes para opinionit të një personi tjetër”.

Axhami thotë se tradita islamike ka treguesin e vet të vetëpërmbajtjes. Kur myslimanët pushtuan Jeruzalemin në shekullin e 7-të, patriarku i krishterë i kërkoi kalifit islamik, Umar ibn al-Katab, nëse ai donte të shkonte dhe të lutej si mysliman në kishën e Sepulkrit të Shenjtë.

“Sipas ligjit islamik dhe historisë islame, Umar ibn al-Khattab e hodhi poshtë ftesën. Dhe ai tha ‘nëse unë falem në kishë, pasuesit e mi do të vinë pas meje dhe do të kërkojnë ta bëjnë vendin e tyre të shenjtë. Kështu që më mirë të falem diku tjetër”.

Por studiues të tjerë argumentojnë se tërheqja për respekt është e barabartë me nënshtrimin. Oberi Hendriks është pedagog në Departamentin e Besimit në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Si afrikano-amerikan, ai përmend përvojën e skllavërisë në Amerikë.

“Ne nuk duhet të presim që njerëzit të ecin me kokat ulur, me shpresën se shumica do të vijë një moment dhe do të thotë që tani mund ta ngrenë kokën dhe përfshihen plotësisht në shoqëri”.

Megjithatë, edhe ai vetë thotë se myslimanët gëzojnë lirinë dhe barazinë në Amerikë megjithë retorikën anti-myslimane që po përdoret nga ata që janë kundër xhamisë pranë kuotës zero.

Por akademikët thonë se forca e kundërshtimit mund t’i atribuohet edhe faktit se fare pak është bërë për ta bërë përkujtimore vendin ku ndodhën sulmet. Përreth ka dyqane pornografike dhe pijesh alkoolike. Dhe ka pasur vazhdimisht mosmarrëvehsje lidhur me muzeun që po ngrihet si përkujtimore.

Farina thotë se një varrezë është gjithmonë e shenjtë që frymëzon ndjenja të thella fetare.

“Dhe është vërtet interesante – po afrohet përvjetori – dhe nuk kemi bërë aspak punë të mirë për ta ngritur diçka të denjë për ta përkujtuar. Akoma ka mbetur si gropë, për të cilën njujorkezët vazhdojnë të grinden”.

Memoriali i Linkolnit në Uashington është një tjetër vend që amerikanët e konsiderojnë të shenjtë. Dhe ndryshe nga kuota zero, tempulli prej mermeri ka një prani imponuese mbi rrethibnat dhe frymëzon vizitorët.

Nensi Uilkins është nga Teksasi megjithëse aktualisht jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo thotë se myslimanët kanë të drejtën të ndërtojnë një xhami në Manhatan.

“Por mendoj se duhet ta kenë pak më larg, që të tregojë pak më shumë ndjeshmëri ndaj njerëzve të tjerë”.

Amerikanët thonë se ende besojnë me forcë tek liria fetare. Por me përpjekjet e pamjaftueshme për të ngritur një memorial në kuotën zero, mundësia e një shtëpie besimi aty pranë për një fe, që terroristët e 11 shtatorit pretendonin se po e mbronin, është e qartë se ka prekur një nerv në këtë vend.

XS
SM
MD
LG