Lidhje

Kisha katolike shqiptare e Shën Palit afër Detroitit nderon Nënë Terezën


Kisha katolike shqiptare e Shën Palit afër Detroitit nderon Nënë Terezën
Kisha katolike shqiptare e Shën Palit afër Detroitit nderon Nënë Terezën

Kisha katolike shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills, afër Detroit, organizoi dje pas dite (26 gusht) veprimtari kulturore e fetare për nder të Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes. Veprimtaritë u shoqëruan me një konferencë akademike ku studiues, historianë e teologë ritheksuan vlerat humaniste e fetare të kësaj figure botërore. Gjithashtu, që prej ditës së djeshme, një shtatore e Nënë Terezës përkrah shtatores së Skënderbeut, qëndron tashmë në hyrje të oborrit të kishës.Veprimtaritë në kuadër të Vitit të Nënë Terezës shënuan kulmin dje në 100 vjetorin e lindjes së saj. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, por biografët thonë se ajo vetë parapëlqente të nesërmen, 27 gushtin, kur u pagëzua në kishën katolike shqiptare të Shkupit.

Gjithësesi, po të ishte gjallë fizikisht, Nënë Tereza dje ose sot do të kishte mbushur 100 vjec. Dhe 1 shekull është shumë pak për "Terezën e Bekuar të Kalkutës", thotë famullitari i kishës, Dom Anton Kçira, duke e quajtur Nënë Terezën me titullin e dhënë nga Vatikani, ndërsa ajo shihej si "shenjt" që kur ishte gjallë.

Të pranishëm kishte shqiptarë nga disa qytete e shtete të Amerikës, si dhe një grup përfaqësuesish të shqiptarëve të Kanadasë. Veprimtaritë e djeshme u hapën me një seminar, ku studiues, historianë e teologë shkëmbyen a shprehën mendime rreth Nëne Terezës, kësaj figure, e cila doli nga një komb a një fe, për t'u bërë pastaj nder i të gjithëve. Arsyet e një madhështie të tillë janë të ndryshme, perfshi perkushtmin e vetemohimin, thotë Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Amerikë, Ekrem Bardha, që e cilëson Nënë Terezën, si humanisten më të madhe që bota nxorri gjatë shekullit të XX..

Një shtatore e Nënë Terezës, u përurua po dje, duke u vendosur përkrah shtatores së Skënderbeut, në hyrje të oborrit të kishës, si për të grishur vizitorët. Shtatorja, skulpturë në bronx e artistit Vasiljev Nini, dhe dhuratë e vëllezërve të njohur veprimtarë Gjojcaj, u përurua në prani të përfaqësuesve të lartë të dioqezës së Detroitit.

Historikisht, Nënë Tereza është një figurë relativisht e re, vlerat e së cilës shtohen sa më shumë kohë kalon. Ka shqiptarë që thonë se Nënë Tereza bëri shumë për botën dhe pak për kombin e vet. Don Shan Zefi, nga Kosova, studues i jetës së Nënë Terezës, thotë se për nga përmasat, Nënë Tereza për shqiptarët mund të krahasohet vetëm me figurën e Skënderbeut, i cili me qëndresën e tij në shek. 15 i vuri shqiptarët në krye të listës së popujve heroikë e liridashës, ndërsa Nënë Tereza me bamirësinë si vyrtyt, u dha shqiptarëve një vend nderi në hartën botërore të kulturës e humanizmit.

Në fund të viteve '80 kur fotografi amerikan Norman Gershman u njoh me rastet shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë pushtimit Nazist, ai u mahnit nga humanizmi i tyre dhe krahasimi që i erdhi menjëherë në mendje ishte -"Të gjithë shqiptarët janë Nënë Terezë!"; njësoj si të thoshte se bamirësia e Nënë Terezës i ka rrënjët në kulturën e kombit që e lindi, ndërsa feja përbën degët e saj. Kështu mendon edhe një nga veprimtarët e diasporës, z. Mërgin Korça, i cili thotë se bamirësia dhe besa janë të lidhura ngushtë dhe përbëjnë ndër traditat më të mira të kombit, që Nënë Tereza i kultivoi. Kështu duket se mendojnë edhe shumë shqiptarë të tjerë, që e nderojnë Nënë Terezën pavarësisht se nga janë a cfarë besojnë.

XS
SM
MD
LG