Lidhje

BP ka zhbllokuar një sharrë që ngeci gjatë operacioneve për të ndaluar rrjedhjen e naftës

  • Zëri Amerikës

Gjigandi i naftës BP, i ndodhur nën presion për të ndaluar rrjedhjen e naftës nga një pus në Gjirin e Meksikës, tha se ka çbllokuar një sharë që ngeci ndërsa po përdorej për prerjen e tubave të dëmtuara, në kuadër të përpjekjeve më të fundit për të ndalur rrjedhjen.

Njoftimi u bë dje, ndërsa shtohen thirrjet që qeveria amerikane t’i bëjë presion kompanisë BP që t’i japë fund krizës. BP është përpjekur për më shumë se një muaj që të mbyllë rrjedhjen e naftës nga pusi. Nafta që vazhdon të përhapet ka shkaktuar dëme të mëdha për kafshët e detit dhe për industrinë e peshkimit.

Metoda më e fundit për të bllokuar rrjedhjen naftës ka të bëjë me prerjen e tubave të dëmtuar dhe bllokimin e pusit me një kupolë. Zyrtarët e BP-së thanë se prerja e tubave është e rrezikshme sepse të paktën përkohësisht do të shtohet sasia e naftës që rrjedh nga pusi 1.5 kilometra nën ujë.

Njolla më e madhe e naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara ka prekur tashmë brigjet e Luizianës, Alabamës dhe Misisipit. Ka njoftime se ajo po i afrohet edhe brigjeve të Floridës.

XS
SM
MD
LG