Lidhje

Presidenti Obama vazhdon vizitën në rajonin e Gjirit të Meksikës


Presidenti Barak Obama po e vazhdon turneun në Gjirin e Meksikës para fjalimit drejtuar kombit sonte, mbi planet e qeverisë për të zgjidhur situatën e katastrofës së naftës. Fjalimi do të jetë i pari që presidenti do të mbajë nga Zyra Ovale. Presidenti do ta mbajë fjalimin disa orë pasi të jetë kthyer nga Florida, ku plazhet kanë filluar të shohin shenjat e para të naftës që vazhdon të rrjedhë nga pusi i çarë në ditën e 57.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Obama do të diskutojë gjithashtu për planet e administratës për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga kriza. Ndërkohë, drejtuesit e kompanisë BP-së dhe kompanive të tjera të naftës, ExxonMobil dhe Chevron, po përgjigjen para një komisioni të Kongresit në një seancë tre-ditore lidhur me operacionet në pusin e dëmtuar të naftës. Drejtuesit e kompanisë BP do t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me operimin e pusit të çarë. Ligjvënësit amerikanë thonë se kanë pyetje serioze lidhur me dokumentacionin e kompanisë, që le të kuptohet se BP mori mbi vete rreziqe për shkurtimin e kostos në operacionin e gërmimit të pusit.

XS
SM
MD
LG