Lidhje

Bisedimet në Strasburg janë zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit, pa asnjë rezultat


Bisedimet në Strasburg janë zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit, pa asnjë rezultat
Bisedimet në Strasburg janë zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit, pa asnjë rezultat

Në Strasburg janë zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit, pa asnjë rezultat, bisedimet mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit Socialist Edi Rama të ndërmjetësuara nga drejtuesit e dy grupimeve kryesore politike në parlamentin europian dhe në prani të komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle. Nga të dhënat e para mësohet se është lënë që një tjetër takim të zhvillohet pas dy ose tre javësh.

Takimi në Strasburg ka zgjatur për mbi 5 orë. Sipas burimeve, në përfundim të takimit nuk ka pasur komunikime të gjata as nga Kryeministri Sali Berisha e as nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e as nga përfaqësuesit evropianë, të cilët ishin ndërmjetës të këtyre bisedimeve për t'i dhënë zgjidhje ngërçit politik në Shqipëri.

Kryeministri Berisha ka deklaruar vetëm se është lënë kohë që palët të reflektojnë, ndërkohë që kryetari socialist Rama ka përsëritur se ai dhe opozita nuk tërhiqen nga kauza dhe se përpjekjet e tyre do të vazhdojnë.

Ndërkohë, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Shtefan Fyle, i cili mori pjesë në këtë takim, tha sot se ka ende shumë punë për të bërë.

Në fakt, pritshmëria nga takimi i Stasburgut ishte shumë e madhe sidomos për shkak të deklaratave që i paraprinë këtij takimi. Pak orë para fillimit të takimit, Komisioneri Fyle por edhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian u shprehën se ishin tepër të shqetësuar për situatën politike në Shqipëri, se vendi ndodhej në një moment thelbësor drejt integrimit evropian dhe kësaj situate duhej t'i gjehej një zgjidhje, që t'i rezistonte kohës.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm i Spanjës, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, kishte komunikuar në telefon me Kryeministrin Sali Berisha, për ta inkurajuar atë që të gjehej një zgjidhje sa më e shpejtë. Një ditë më parë ai kishte pasur bisedë telefonike edhe me Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i kishte kërkuar ndërprerjen e grevës. Në fakt, duket se ndërprerja e grevës është i vetmi rezultat konkret i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.

Po mbrëmë, edhe ambasada amerikane e mirëpriti nismën e Bashkimit Evropian për takimin e Strasburgut mes Kryeministrit Berisha dhe zotit Rama dhe nëpërmjet një deklarate i bënin thirrje të dy palëve që ta shfrytëzonin këtë mundësi në frymën e bashkëpunimit e të dialogut për të arritur një kompromis sa më të shpejtë. Në deklaratën e ambasadës amerikane thuhej se populli shqiptar ka nevojë urgjente për fundin e krizës dhe që Shqipëria t'i kthehet përqëndrimit tek axhenda euro-atlantike.

Megjithë mungesën e ndonjë arritjeje në takimin e Strasburgut, ajo që mbetet dhe që jep shpresë është fakti se është caktuar një tjetër takim ndoshta në 2-3 javët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG