Lidhje

HRW: 321 të vrarë nga kryengritësit në RDK gjatë një masakre të panjoftuar më parë

  • Zëri Amerikës

Një organizatë e të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara thotë se kryengritësit në Republikën Demokratike të Kongos vranë në dhjetor të vitit të kaluar 321 fshatarë, gjatë një masakre të pa njoftuar më parë.

Në raportin e publikuar sot, Human Rights Watch thotë se Ushtria e Rrezistencës së Zotit filloi një fushatë 4-ditore vrasjesh më 14 dhjetor 2009, në të paktën 10 fshatra në provincën verilindore, Haut Uele, të Republikës Demokratike të Kongos.

Grupi i të drejtave të njeriut thotë se fshatarët e masakruar ishin burra të lidhur dhe të goditur në kokë. Në raport thuhet gjithashtu se mes të vdekurve ishte edhe një vajzë 3-vjeçare që ishte djegur për vdekje.

Human Rights Watch thotë se kryengritësit rrëmbyen gjithashtu edhe 250 banorë të fshatrave, përfshirë 80 fëmijë.

Organizata thotë se kryengritësit detyruan shumë nga fëmijët të vrisnin fëmijët e tjerë që nuk u bindeshin rregullave të kryengritësve.

Hulumtuesi i Human Rights Watch për Afrikën, Anneke Van Woudenberg, thotë se masakra është një prej më të rëndave të kryera ndonjëherë nga Ushtria e Rrezistencës së Zotit në historinë e saj 23 vjeçare.

Udhëheqësi i kryengritësve, Joseph Kony, kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve nën akuzat e krimeve të luftës.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara e konfirmoi masakrën dhe tha se OKB-ja po bën hetime.

XS
SM
MD
LG