Lidhje

Mbahet ceremonia e varrimit të Drejtorit të Arsimit të Prishtinës


Mbahet ceremonia e varrimit të Drejtorit të Arsimit të Prishtinës
Mbahet ceremonia e varrimit të Drejtorit të Arsimit të Prishtinës

Në Prishtinë sot është ditë zie në shenjë nderimi për drejtorin e drejtorisë së arsimit të komunës së Prishtinës Remzi Salihu, i cili u vra dje në vendin e tij të punës. Ceremonisë së varrimit të tij sot i parapriu një mbledhje përkujtimore dhe homazhet që u bënë në nderim të tij nga qytetarët e Prishtinës. Në shenjë proteste është ndërprerë edhe mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit.

Remzi Salihu u qëllua dje në zyrën e tij nga Gani Sahiti, 30 vjeçar, ish arsimtar i biologjisë. Policia tha se po mban në arrest autorin e kësaj vrasjeje dhe ka konfiskuar edhe armën me të cilën është kryer vrasja, por nuk deshi të flasë për motivet e mundshme të saj, duke pohuar se po zhvillohen hetime për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje. Zyrtarë të komunës së Prishtinës, thanë se vrasja mund të jetë motivuar nga fakti se autori i vrasjes kishte konkurruar për postin e drejtorit të një shkolle por nuk kishte fituar.

Vrasja ka nxitur reagime në shkallë të gjerë. I ndjeri është vlerësuar për punën që ka bërë për arsimin në Kosovë dhe si një njeri me marrëdhënie të mira me kolegët dhe nxënësit. Ministri i Arsimit të Kosovës Ramë Buja tha se me vrasjen e djeshme, arsimi në Kosovë humbi një personalitet të shquar dhe pësoi një goditje të madhe.

“Remzi Salihu do të mbahet mend si një njeri që tërë jetën e vet ia kushtoi arsimit, si i tillë ai do të mbahet mend për virtytet e tij njerëzore, për angazhimin profesional, për palodhshmëri dhe ndershmëri në punë. Vrasja e drejtorit të arsimit të Prishtinës është sulm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo tregon se ende nuk është bërë e gjithë ajo që duhet në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në Kosovë dhe në parandalimin e krimit. Ne duhet vazhdimisht të punojmë që qytetarët të jetojnë dhe të punojnë të qetë duke i vënë përpara drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit. Në emër të nxënësve dhe mësimdhënësve të Kosovës kërkoj gjykimin e pavarur të shkaqeve dhe pasojave të kësaj dite të rëndë për arsimin e Kosovës. Kjo është mënyra e vetme për të lehtësuar dhimbjen dhe për të rritur shpresën për të ardhmen tonë”, tha ministri Buja.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se kjo ngjarje shndërrohet në thirrje për shtimin e sigurisë publike në vend.

“Për fat të keq, as Remzi Salihu e as kushdo qoftë tjetër individualisht nuk mund të mbrohet nga akte të tilla kriminale. Së këndejmi, nga këtu iu bëjmë thirrje institucioneve të sigurisë që të jenë më të përkushtuara në betejën e rëndë për vënien e rendit dhe ligjit kudo në Kosovë, sepse pasojat e sigurisë së brishtë po i paguajmë ende shumë shtrenjtë si shoqëri e si shtet”, tha zoti Beqiri.

Vrasja është dinar nga të gjitha institucionet politike e arsimore të Kosovës, ndërsa veprimtarët për të drejtat ë njeriut thanë se ajo është tregues i një gjendjeje të brishtë të sigurisë publike në vend.

XS
SM
MD
LG