Lidhje

Egjipti lehtëson bllokadën ndaj Rripit të Gazës

  • Luiz Ramirez
  • Zëri Amerikës

Egjipti lehtëson bllokadën ndaj Rripit të Gazës

Egjipti lehtëson bllokadën ndaj Rripit të Gazës

Palestinezët nga Rripi Gazës hynë sot lirisht në Egjipt, pasi qeveria egjiptiane lehtësoi pengesat për kalimin e kufirit me Gazën.

Qindra palestinezë me dokumente të rregullta shfrytëzuan lëshimet e përkohëshme të miratuara dje nga qeveria egjiptiane, dita e parë e rihapjes së pikëkalimit Rafah.

Një korrespondent i Zërit të Amerikës që po ndiqte këtë ngjarje të rëndësishme njofton se shumë palestinezë të tjerë nuk u lejuan të hynin në Egjipt, pasi emrat e tyre ishin në listën e zezë të sigurimit egjiptian.

Pikëkalimi Rafah është pika e vetme kufitare e Gazës jashtë teritorit izraelit. Zyrtarët thonë se po e administrojnë atë në bazë të rregullave që ishin në fuqi para vendosjes së bllokadës egjiptiane në vitin 2007.

Një roje kufitare palestineze vulos pasaportën e Muhamed al-Hamsit, një banor i Gazës i cili thotë se nuk ka dalë nga zona për vite me radhë. Ai është ndër 500 personat e parë që mbërritën në pikëkalimin Rafah dje para se të hipnin në një autobus për të kaluar në anën egjiptiane të kufirit. Ai shprehet i lumtur që më në fund mund të dalë nga Gaza e të shohë botën.

Egjipti filloi të lehtësonte bllokadën këtë vit, pas rrëzimit të presidentit egjiptian Hosni Mubarak, duke e hapur në mënyrë sporadike këtë pikëkalim për personat me leje të veçanta kalimi, për arsye mjekësore apo nevoja të tjera.

Tani pikëkalimi do të qëndrojë i hapur me orë të rregullta për të gjithë personat përveç meshkujve nga mosha 18-40 vjeç.

Ata që kaluan kufirin dje e cilësuan lehtësimin e pengesave si një çlirim pas mbylljes disa vjeçare të imponuar nga Izraeli dhe Egjipti. Sabri Matar nga Gaza thotë se po shkon në Egjipt për mjekim. Ai falenderon egjiptianët që kanë hapur pikëkalimin në përgjigje të vuajtjeve të palestinezëve.

Egjipti nën qeverisjen e Mubarakut bashkëpunonte me Izraelin për mbylljen e Rripit të Gazës pasi kjo zonë u fut nën kontrollin e grupit ekstremist islamik Hamas.

Egjipti vendosi t’i lehtësojë kufizimet pasi Hamasi nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje ripajtimi me fraksionin Fatah që kontrollon Bregun Perëndimor.

Hamasi e konsideron qeverinë e përkohshme që zëvendësoi zotin Mubarak si më të ngrohtë ndaj kauzës palestineze dhe dje përshëndeti vendimin e Egjiptit për të lehtësuar kufizimet.

Në komentet dje në pikëkalimin kufitar, Gazi Hamad, një zyrtar i lartë i Hamasit e cilësoi këtë, fillimin e një epoke të re për popullin e Gazës dhe për bashkëpunim më të ngushtë me Egjiptin:

"Pikëkalimi është fryt i revolucionit egjiptian dhe i ripajtimit. Shpresoj që hapja e pikëkalimit do të nxisë ripajtimin dhe do të mbështesë marrëdhëniet mes egjiptianëve dhe palestinezëve”.

Izraeli po i ndjek me shqetësim zhvillimet në kufi. Zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve në kufirin me Egjiptin mund t’u hapë rrugën terroristëve dhe trafikantëve të armëve.

XS
SM
MD
LG