Lidhje

Presidenti Obama dhe protestat në Egjipt

  • Ardita Dunellari

Presidenti Obama dhe protestat në Egjipt

Presidenti Obama dhe protestat në Egjipt

Përleshjet në Kajro mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Presidentit egjiptin, Hosni Mubarak, janë bërë shkak për reagime të tjera nga ana e Shtëpisë së Bardhë. Zëdhënësi i Presidentit Obama, Robert Gibbs tha se nëqoftëse qeveria e Mubarakut nxit dhunën, kësaj duhet t’i jepet fund. Ti hedhim një vështrim pozicionimit amerikan lidhur me zhvillimet në Egjipt.

Kaosi në Kairo është shtuar, megjithë njoftimin e Presidentit Mubarak se nuk do të vërë kandidaturë për t’u rizgjedhur.

"Premtoj se do t’i jap fund mandatit tim për hir të kombit", deklaroi ai.

Por Presidenti Barak Obama kërkon më tepër se kaq.

"Kalimi i rregullt i pushtetit duhet të jetë i vërtetë, paqësor dhe duhet të fillojë tani,” tha Presidenti Obama.

Por kjo nuk po shihet në rrugët e Kajros.

Demonstratat kryesisht paqësore kanë marrë një kthesë të dhunshme. Dje, mbështetësit e Mubarakut, disa me deve, hynë në sheshin qendror dhe sulmuan protestuesit. Tani, të dyja palët janë në konfrontim me njëra-tjetrën.

Në Uashington, juristja egjiptiano-amerikane, Dina Guirguis, që punon në Institutin amerikan për Lindjen e Afërme, shpërndau një dokument sekret të ministrisë së Brendshme egjiptiane, i cili tani qarkullon edhe në internet. Në dokument jepen udhëzime se si duhet të veprojnë ndaj protestuesve forcat egjiptiane të sigurisë.

"..të armatosen agjentët e forcave të sigurisë dhe të policisë me shkopinj, thika dhe shufra hekuri dhe të sulmojnë me rroba civile protestuesit në mënyrë që të mos duket se janë policë. Pra duhet të dimë se protestuesit pro-Mubarakut shpesh përfshijnë elementë të tillë dhe këtë po shikojmë edhe sot në rrugë”.

Pohime të tilla nuk janë verifikuar.

Nga rrugët e Kajros, disa po i bëjnë thirrje Presidentit Obama të tregohet më i ashpër ndaj Presidentit Mubarak. Osama El Ghazali Harb është anëtar i Koalicionit për Ndryshim, që përfshin të partitë e opozitës. Ai foli në telefon me korrespondentin e Zërit të Amerikës Mohamed El Shinnawi.

"Mendoj se njerëzit në Egjipt po ia hedh fajin Amerikës dhe Presidentit Obama për situatën e tyre. Ne i kërkojmë Amerikës, i kërkojmë Uashingtonit dhe Presidentit Obama që të jenë më të ashpër me Mubarakun."

J. Skot Karpenter, që punon po ashtu në Institutin për Lindjen e Afërme, thotë se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin dhe nuk mund të kthehen më prapa.

"Mendoj se Presidenti Obama duhet të shkojë më tej tani. Shtetet e Bashkuara, duke patur parasysh se rrezikohet besueshmëria e tyre, duhet ta bëjnë krejtësisht të qartë se në anën e cilit qëndrojnë."

Por analisti Anthoni Kordsman, në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se maturia nuk është diçka e keqe.

"Të kërkosh dorëheqjen e Mubarakut është njëra anë, ana tjetër është se nuk ka një njeri për ta zëvendësuar atë".

Ndërkohë që opozita po diskuton se kudh duhet ta udhëheqë lëvizjen e saj, ushtria vazhdon të mbetet në krye. Zoti Karpenter parashikon se më në fund ajo do të ndërhyjë dhe do t’i kërkojë Mubarakut të largohet.

Por mundet që Presidenti Mubarak t’i japë urdhër ushtrisë t’i shtypë protestat. Pasojat do të ishte e vështirë të merreshin me mend.

XS
SM
MD
LG