Lidhje

Ajatollahu Ali Khamenei përshëndet protestat anti-qeveritare në Egjipt

  • Zëri Amerikës

Ajatollahu Ali Khamenei përshëndet protestat anti-qeveritare në Egjipt

Ajatollahu Ali Khamenei përshëndet protestat anti-qeveritare në Egjipt

Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollahu Ali Khamenei përshëndeti protestat anti-qeveritare në Egjipt dhe Tunizi, duke i krahasuar me revolucionin islamik iranian të vitit 1979.

Gjatë lutjeve të së premtes sot në Teheran, Ajatollahu Khamenei i cilësoi demonstratat “një rilindje islamike” dhe tha se ushtria egjiptiane duhet t’i mbështesë protestuesit.

Ai akuzoi Presidentin egjiptian Hosni Mubarak se i shërben Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Demonstratat në Egjipt dhe vende të tjera arabe, nëse arrijnë sukses, u shpreh ai, do të çojnë në disfatën e politikës amerikane për rajonin.

Po sot, udhëheqës të Bashkimit Evropian bënë thirrje për fillimin e dialogut mes qeverisë egjiptiane dhe opozitës në vend.

Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme Kathrinë Ashton thotë se ka rëndësi esenciale që populli dhe qeveria të ecin përpara me të njëjtin hap.

Kryeministri britanik David Kameron tha se Egjipti duhet të ndërmarrë masa për të garantuar që ka një rrugë të qartë, të besueshme dhe transparente drejt tranzicionit. Ai tha se deri tani këto hapa nuk kanë përmbushur aspiratat e popullit egjiptian.

Udhëheqësit e organizatës me 27 anëtarë pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët në përfundim të takimit një ditësh.

XS
SM
MD
LG