Lidhje

Egjipt: Protestat vazhdojnë me thirrjet kundër regjimit të Hosni Mubarakut


Egjipt: Protestat vazhdojnë me thirrjet kundër regjimit të Hosni Mubarakut
Egjipt: Protestat vazhdojnë me thirrjet kundër regjimit të Hosni Mubarakut

Muhamed ElBaradei, ish kreu i agjencisë bërthamore të OKB-së pritet të kthehet në Egjypt sot për t'u bashkuar me demonstruesit që protestojnë kundër regjimit 30 vjeçar të presidentit Hosni Mubarak. Aktivistët kanë përdorur faqet elektronike të mediave sociale për të paralajmëruar protesta madhore nesër në Kajro.

Makinat e policisë ishin parkuar në anë të disa rrugëve në kryeqytetin egjyptian sot në mëngjes ndërsa u rikthye qetësia në dukje pas një nate të trazuar. Protestuesit dogjën goma makinash dhe hodhën gurë mbi policinë dhe kamionët e ushtrisë në qendër të Kajros.

Disa dëshmitarë thanë se demonstruesit u goditën nga policia, u arrestuan dhe u futën në kamionë. Ministria e brendshme njoftoi dje se 500 persona janë arrestuar, por një koalicion i pavarur avokatësh thanë se të paktën 1 mijë e 200 u arrestuan.

Zëdhënësi i partisë Vllazëria Myslimane, Essam Al-Arian tha se egjyptianët do të ndalin demonstratat në rrugë kur qeveria t’u përgjigjet kërkesave të tyre.

“Do të vazhdojnë derisa regjimi t’u përgjigjet kërkesave reale. Zbukurimet nuk mund të shpëtojnë situatën. Stabiliteti, stabiliteti i detyruar që janë munduar të pasqyrojnë nuk funksionon më. Demonstratat do të vazhdojnë. Të premten zemërimi do të vazhdojë me funeralet dhe lutjet për viktimat e shkaktuara nga policia”.

Të frymëzuar nga revolta në Tunizi që rrëzoi qeverinë 23 vjeçare të presidentit Zine al-Abidin Ban Ali, egjyptianët po përpiqen të përmbysin presidentin Hosni Mubarak duke i vazhduar për të tretën ditë protestat kundër regjimit të tij 30 vjeçar.

Al-Arian thotë se protestat ishin një reagim i natyrshëm pas dekadash varfërie dhe shtypje dhe parashikon se Egjypti do të shpërthejë në se qeveria përgjigjet duke shtypur protestat.

“Ne parashikojmë se mbyllja e dyerve, manipulimi i zgjedhjeve, ndalimi i studentëve për të zgjedhur lirshëm unionet studentore... të gjitha këto do të akumulohen dhe do të çojnë në një shpërthim të papërmbajtur dhe këtë po shohim”.

Aktivistët anti-qeveritarë po premtojnë të zhvillojnë protestëm më të madhe nesër pas lutjeve të së premtes. Të paktën 3 protestues dhe një polic u vranë gjatë përleshjeve që filluan të martën.

XS
SM
MD
LG