Lidhje

Kosovë: Kremtimet për Kurban Bajramin

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosovë: Kremtimet për Kurban Bajramin

Kosovë: Kremtimet për Kurban Bajramin

Festa e Kurban Bajramit po kremtohet në Kosovë nën thirrjet për paqe e tolerancë dhe ruajtje të bashkimit fetar e politike kundruall procesit politikë në vend. Mijëra besimtarë morën pjesë në ceremoninë e faljes së bajramit gjatë të cilës, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava tha se parimet e islamit synojnë krijimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane me vlera të larta të një shoqërie të barabartë ku të gjithë njerëzit pa dallim do të gëzonin lumturinë shpirtërore e materiale.

“Ditë që bashkon zemrat e myslimanëve në gjithë botën, për të përjetuar gëzimin e harenë. Duke falënderuar Allahun për begatit në këtë botë, për krijesën më të përsosur njeriun. Festa e Kurban Bajramit për besimtarët përbën këshilla e porosi të cilat e ndihmojnë besimtarin për organizimin e jetës në këtë botë në përputhje me porositë e Kuranit, ngase jeta e njeriut duhet të përmbaj me vete vlerat më sublime”, tha myftiu Tërnava.

Zëvendësi i Ipeshkvit të Kosovës, Don Lush Gjergji u përcolli udhëheqësve të Bashkësisë islame dhe besimtarëve urimet për paqe e dashuri mes njerëzve…

“Kemi ardhur që vëllezërve e motrave tona, Bashkësisë Islame nga zemra t'iu urojmë Kurban Bajramin me dëshira që festat tona të përbashkëta ta përforcojnë gjithnjë e më tepër vëllazërinë tonë gjithë shqiptare dhe dialogun tonë ndërfetar i cili e ka një begati, një traditë, një histori dhe një kulturë shumë shekullore”, tha zëvendës Ipeshkvi i Kosovës Don Lush Gjergji.

Në urimet e tyre për Kurban Bajramin, edhe udhëheqësit politikë të vendit vunë theksin në përkushtimin ndaj një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit dhe ruajtjen e tolerancës fetare e etnike.

“Ne ishim te myftiu i Kosovës në Bashkësinë Islame për t'i shprehur urimet më të përzemërta në emër timin por edhe të institucioneve që përfaqësoj dhe përmes Bashkësisë Islame gjithë qytetarëve mysliman të Republikës së Kosovës u dëshirojmë fat, mirëqenie, begati dhe një jetë më të mirë për të ardhmen”, tha Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi.

“Kjo është një festë e bashkimit, solidaritetit, miqësisë e dashurisë dhe unë dua të besoj se për Kosovën do të ketë vetëm ditë më të mira, mirëqenie më të lart sociale, prandaj edhe një herë falënderoj myftiun Tërnava dhe Bashkësinë Islame për rolin e tyre shumë konstruktiv në kultivimin e tolerancës fetare në Kosovë”, tha kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi.

"Falënderoj për gjithë atë çfarë Bashkësia Islame po jep për zhvillimin e tolerancës, për marrëdhënie të mira të qytetarëve të Kosovës jo vetëm në suaza të fes myslimane por për një korrelacion të fortë të gjithë besimtarëve në Kosovë, për kultivimin e sakrificës edhe të vullnetit të mirë te qytetarët që është një veti e jona”, tha Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa.

Edhe udhëheqës të institucioneve ndërkombëtare e partive politike përgëzuan besimtarët duke vënë theksin në përpjekjet e përbashkëta për siç thuhet ndërtimin e demokracisë e qëndrueshmërisë në vend dhe në rajon.

XS
SM
MD
LG