Lidhje

Engel: Arrestimi i Mlladiçit, hap i rëndësishëm për Serbinë


Congressman Eliot Engel
Congressman Eliot Engel

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, anëtar i lartë i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme, përshëndeti arrestimin e Ratko Mlladiçit. Në një deklaratë me shkrim që nxori dje, zyra e ligjvënësit paralajmëron se Serbia duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën para se të përfshihet në Bashkimin Evropian.

“Arrestimi i Gjeneral Ratko Mlladiçit është një hap i rëndësishëm dhe i pritur prej kohësh nga Serbia,” thuhet në deklaratë. Ligjvënësi thekson se Mlladiçi është përgjegjës për masakrimin e më shumë 7,500 djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë në korrik 1995 dhe duhet të mbahet përgjegjës në Gjykatën e Hagës për këto krime dhe akte të tjera kriminale kundër njerëzimit.

“Arrestimi i Mlladiçit dhe ekstradimi i tij në Hagë është një përparim i rëndësishëm për Serbinë, por ky vend ka një tjetër pengesë kryesore para se të ecë përpara në rrugën e antarësimit në Bashkimin Evropian. Derisa të zgjidhen mosmarrëveshjet e saj me Kosvën e pavarur, Serbia nuk do të jetë në gjendje të antarësohet në BE. Shpresoj,” – shkruan më tej ligjvënësi Engel në deklaratën e tij – “se Serbia një ditë do të bëhet një vend anëtar i Bashkimit Evropian, por nuk duhet lejuar ta realizojë këtë, nëse një gjë e tillë do të bllokonte antarësimin e Kosovës në të ardhmen,” përfundon deklarata e ligjvënësit amerikan Eliot Engel.

XS
SM
MD
LG