Lidhje

Agjencia e Mjedisit harton rregullore të reja kundër elementëve toksikë


Agjencia e Mjedisit harton rregullore të reja kundër elementëve toksikë
Agjencia e Mjedisit harton rregullore të reja kundër elementëve toksikë

Në bazë të ligjit federal të njohur si Akti për Ajrin e Pastër, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit mori në vitin 1970 kompetencat në dorë për të hartuar dhe zbatuar rregullore që kontrollojnë nivelin e ndotjes në ajër. Muajt e fundit, kjo agjenci ka shkallëzuar përpjekjet për të kufizuar ndotjen nga centralet energjetike. Po ashtu ky organ federal do të nxjerrë së shpejti rregullore të reja që kufizojnë sasinë e mërkurit dhe elementëve të tjerë toksikë që çlirohen në ajër. Këto masa kanë zgjuar kritika të ashpra nga grupet e interesave:

Gjatë dekadës së fundit, centrali elektrik Brandon Shores pranë Baltimorës ka forcuar masat e kontrollit kundër ndotjes për t’iu përmbajtur rregulloreve shtetërore dhe kufizimeve të pritshme federale. Xhon Kuin kryeson zyrën për Çështjet e Mjedisit pranë kompanisë Constellation Energy, e cila administron centralin Brandon Shores. Ai thotë se impianti i ri i centralit me vlerë 800 milionë dollarë, heq dioksidin e squfurit nga tymi që çliron centrali.

Kjo është një kërkesë e re e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit që synon të eliminojë elementë ndotës nga centralet me qymyrguri, që shkaktojnë smog dhe shi acid.

“I kemi mbështetur gjithmonë masat si rregullorja e re e transportit, duke vendosur impiante moderne për pastrim. Tani do të kontrollojmë ndotjen edhe nga oxhaqet e centralit”.

Agjencia thotë se pastrimi i ajrit si rezultat i masave të reja mund të kursejë 280 miliardë dollarë në vit nga shpenzimet për kujdes shëndetësor. Ndihmës Administratorja e Agjencisë Xhina Mekarthi beson se përfitimet janë shumë më të mëdha se kostoja vjetore që kërkon rregullorja e re:

“Si rezultat i kësaj rregulloreje, në vitin 2014 dhe çdo vit më pas do të reduktojmë 34 mijë vdekje të parakohëshme dhe 1.8 milionë ditë pune të humbura. Këto janë përfitime të rëndësishme për 3 të katërtat e popullsisë amerikane”.

Xhefri Holmsted ishte nismëtar i rregulloreve të ngjashme për uljen e ndotjes kur kishte detyrën e Ndihmës Administratorit për Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit nën administratën Xhorxh Bush. Si shumë kritikë të Agjencisë, me prirje konservatore, ai shpreh shqetësimin se prirjet e reja për forcimin e rregulloreve do të detyrojnë shumë prodhues amerikanë ose të mbyllin dyert, ose t’i zhvendosin operacionet jashtë vendit:

“Me rregulloret e reja nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, dalin shqetësime të mëdha veçanërisht në sektorë ku kemi aktualisht aktivitete prodhimi që mund të humbin fuqinë konkurruese në tregun global, pasi do të rritet kostoja e operimit”.

Zyrtarët aktualë të Agjencisë e hedhin poshtë këtë skenar. Ata argumentojnë se modernizime si ato në centralin Brendan Shores mund të hapin mijëra vende të reja pune dhe t’i bëjnë këto biznese më konkurruese.

Ndihmës Administratorja Xhina Mekarthi thotë se kufizimet e propozuara nga Agjencia për nivelet e mërkurit dhe elementëve të tjerë toksikë kanë qenë të domosdoshme prej kohësh.

“Ndoshta është e pabesueshme, por në këtë vend nuk kemi standarde kombëtare për elementë toksikë në sektorin më të madh që çliron ndotës të tillë. Kemi rregullore për 90 sektorë industrialë për këto elementë, por nuk kemi për sektorin e prodhimit të energjisë, që çliron më shumë ndotës se të gjithë sektorët të marrë së bashku”.

Kritikët e Agjencisë në Kongres dhe në sektorin privat kundërshtojnë miratimin e masave të reja pasi shqetësohen për ndikimin e tyre ekonomik. Xhina Mekarthi përgjigjet se rregulloret e reja janë të dobishme si për ekonominë, edhe për shëndetin publik:

“Po bëjmë atë që duhet. Po zbatojmë Ligjin për Ajrin e Pastër në formën më të efektshme që është e mundur për sa i përket kostos”.

Ndërkaq, në centralin Brandon Shores pranë Baltimorës, menaxheri i çështjeve të mjedisit Xhon Kuin thotë se kompania ka arritur të ecë me ritmet e ndryshimeve:

“Kemi bindjen se do të jemi në gjendje të përmbushim kërkesat e reja”.

Kompania Constellation Energy ka qenë në gjendje të zbatojë masa për mbrojtjen e mjedisit para kërkesave të reja të Agjencisë së Mjedisit. Zyrtarët federalë shpresojnë se përmbushja e këtyre rregulloreve nga kjo kompani do të shërbejë si shembull për kompanitë e tjera dhe do të ndihmojë të zbuten disi shqetësimet e kritikëve të fortë dhe të fuqishëm të kësaj prirjeje.

XS
SM
MD
LG