Lidhje

BE mbështet zgjerimin me vende të Ballkanit

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë ritheksuar mbështetjen e tyre për Ballkanin në një takim të nivelit të lartë në kryeqytetin e Bosnjes, Sarajevë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë sot se “dyert janë ende të hapura” për vendet e Ballkanit që kërkojnë të hynë në bllokun prej 27 anëtarësh.

Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Shqipëria janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sllovenia fitoi anëtarësinë në vitin 2004. Kroacia ka thënë se pret të përfundojnë bisedimet e anëtarësimit me BE-në nga fundi i këtij viti, megjithë kërcënimet e Sllovenisë për ta bllokuar anëtarësinë e saj për shkak të mosmarrëveshjeve të vjetra kufitare mes dy vendeve.

Takimi i nivelit të lartë në Sarajevë u organizua nga Spanja që mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Shumë vende të Ballkanit tremben se kriza financiare në Evropë do të rrezikojë shanset e tyre për t’u pranuar në BE.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka thënë se nuk është zgjerimi i Bashkimit Evropian shkaku i krizës, prandaj ai nuk duhet të pezullohet.

XS
SM
MD
LG