Lidhje

Udhëheqësit e BE diskutojnë rregulla më të rrepta financiare

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po mbajnë sot një takim në Bruksel, tema qendrore e të cilit është rimëkëmbja e ekonomive të organizatës dhe nevoja për masa shtrënguese buxhetore. Zyrtarët thanë se do të diskutojnë për masa afatgjata në krizën e huave, me rregulla dhe sanksione me të rrepta për t’i bërë vendet që të respektojnë kufizimet e Bashkimit Evropian për huatë dhe defiçitet buxhetore.

Udhëheqësit evropianë pritet të bien dakord për një taksë evropiane ndaj bankave. Një përpjekje e mëparshme për një taksë të tillë në shkallë më të gjërë të ekonomive kryesore të botës, dështoi. Ata duan të arrijnë një qëndrim të përbashkët për takimin e nivelit të lartë të Grupit të 20-es që do të mbahet në Toronto më 26 dhe 27 qershor.

“Do të përgatitemi për takimet e Grupit të 20-es dhe Grupit të tetëshes, në mënyrë që të shkojmë me një qëndrim të përbashkët evropian, ku të përfshihet taksa ndaj bankave dhe tregjeve financiare”.

Spanja do t’i njoftojë vendet e tjera për masat për të vënë nën kontroll defiçitin e saj gjithë e në rritje dhe ekziston shqetësimi që Spanja mund të pasojë Greqinë duke kërkuar ndihmë financiare.

“Shumë vende kanë borxhe jashtëzakonisht të mëdha dhe mendoj se është e rëndësishme që të përfitojmë nga ky rast dhe të tregojmë aftësinë udhëheqëse të Evropës, si edhe vendosmërinë për ta zgjidhur këtë situatë që nuk mund të vazhdojë kështu për një kohë të gjatë dhe nuk ka të bëjë vetëm me një vend por me shumë vende”.

Udhëheqësit në përgjithësi janë dakord për një bashkërendim më të mirë politikash ekonomike dhe rregulla më të rrepta financiare, por nuk janë në një zë për mënyrën për ta realizuar një gjë të tillë.

Për kryeministrin e ri britanik David Cameron ishte hera e parë që merrte pjesë në një takim të nivelit të lartë të BE-së. Pas një takimi me Presidentin e komisionit të Bashkimit Evropian Jose Manuel Barroso, ai tha se vendi i tijë do të luajë një rol të plotë në BE.

“Ne kemi një program të fortë dhe pozitiv për të luftuar defiçitin, ashtu siç po bëjmë në vendin tonë dhe do të marrim masa të mëtejshme javën që vjen në buxhetin tonë. Ne kemi gjithashtu një program shumë pozitiv përsa i takon Evropës dhe arenës botërore”.

Ndërsa Presidenti Barrosio vlerësoi përpjekjet që po ndërmerr koalicioni britanik.

“Ne besojmë se ata po marrin masat e duhura për të përballuar situatën”.

Udhëheqësit e BE-së pritet gjithashtu të miratojnë një sërë sanksionesh të reja ndaj Iranit, në një përpjekje të mëtejshme për të frenuar programin e tij bërthamor.

XS
SM
MD
LG