Lidhje

Masat shtrënguese buxhetore në Evropë në rend të ditës

  • Sonja Pejs

Masat shtrënguese ekonomike janë bërë temë kyçe e diskutimit ndërsa qeveritë evropiane po shkurtojnë njëra pas tjetrës shpenzimet për të sjellë deficitin nën kontroll dhe për të parandaluar zhvleftësimin e euros. Korrespondetja e Zërt të Amerikës, Sonja Pejs, shqyrton rastin e Gjermanisë në këtë raport nga Berlini.

Shtrëngimet buxhetore janë në rendin e ditës, por nuk janë gjithmonë popullore, siç provuan edhe trazirat me pasoja vdekjeprurëse në Greqi.

Megjithatë, parlamentet në Europë debatojnë për mënyrat e zvogëlimit të deficit, duke përfshirë edhe gjigantin ekonomik të Europës, Gjermaninë.

Qeveria e Kancelares Angela Merkel ka rënë dakord për shkurtime buxhetore dhe taksa të reja për të sjellë deficitin e Gjermanisë në kufirin e përcaktuar nga Bashkimi Europian, tre përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

“Këto janë kohë të vështira”, tha ajo, “nuk mund të paguajmë për gjithçka që dëshirojmë nëse duam të krijojmë një të ardhme”.

Qëllimi është të kursehen afro 100 miliardë dollarë deri më 2014.

Në përgjithësi, theksi që Europa u ka vënë shtrëngimeve buxhetore është nxitur nga kriza e tanishme financiare, thotë analisti politik Kornelius Adebahr i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë./

“E kemi parë shembullin e Greqisë, ku kishte humbur besimi në aftësinë e qeverisë greke për të shkurtuar buxhetin, për të parandaluar rritjen e borxhit ose për ta vënë atë nën kontroll”.

Kriza financiare e Greqisë dhe rreziku i falimentimit të shtetit u bënë kërcënim për euron dhe vendet që e përdorin atë.

Gjermania ka dhënë një kontribut të madh në paketën e Bashkimit Evropian për shpëtimin e Greqisë dhe megjithëse ekonomia e saj është në gjendje shumë të mirë se sa ajo e Greqisë, shtrëngimet buxhetore janë në rendin e ditës dhe mesa duket, shumë gjermanë janë dakord.

“Na duhet të fillojmë e të mos vonohemi”.

“Mendoj se secili duhet të bëjë pjesën që i takon”.

Gjermania ka ndjekur tradicionalisht një praktikë konservatore në çështjet financiare dhe gjermanët njihen si njerëz të matur kur është fjala për shpenzimet. Me shkurtimet buxhetore në rendin e ditës, shtrohet pyetja se ku do të bëhen ato dhe a do të rrezikojnë mirëqënien sociale të Gjermanisë.

Gjermania, si dhe pjesa më e madhe e Europës kanë një mori programesh për mirëqenien shoqërore, asistencë për të varfërit, për të papunët, sigurime shëndetësor për të gjithë, si dhe pensione të mira. Shumë gjermanë nuk do të donin t’i humbisnin ato, mirëpo analisti Adebahr thotë se shumë të rinj nuk besojnë se do të kenë të njejtat prëfitime.

“Nëse i pyet se a do të marrin pension dhe në çfarë moshe, ata thonë: ‘nuk e di nëse do të jem në pozitën e pensionistëve të sotshëm’”.

Asistenca për të papunët dhe sigurimet shëndetësore janë pakësuar dhe veç këtyre është ngritur edhe mosha e daljes në pension. Por shumë gjermanë nuk pranojnë shkurtime të theksuara në programet e mirëqënies sociale. Kreu i bursës së Berlinit, Artur Fishër, është një prej tyre.

“Dua të jetoj në një vend ku njerëzit kanë një minimum që nevojitet për një jetë deri diku të lumtur. Andaj, jam i gatshëm të dhuroj, përmes taksave ose mënyrave tjera, pjesë të të ardhurave personale. Madje, edhe shumë të tjerë mendojnë si unë”.

Në përgjithësi, gjermanët duan që kontrata shoqërore të ruhet dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë për ta mbajtur atë, për vete dhe për brezat e ardhshme.

XS
SM
MD
LG