Lidhje

Vendet e Eurozonës, të gatshme të ndihmojnë Irlandën

  • Zëri Amerikës

Vendet e Eurozonës, të gatshme të ndihmojnë Irlandën

Vendet e Eurozonës, të gatshme të ndihmojnë Irlandën

Kreu britanik i thesarit thotë se vendi i tij është gati ta ndihmojë Irlandën e mbytur në borxhe të dalë nga kriza financiare. Dejvid Ozborn tha se ndihma ndaj vendit fqinj është në interesin kombëtar të Britanisë. Komentet pasuan njoftimin e ministrave të financave të Eurozonës në Bruksel, se po përgatiten t’i japin ndihmë Irlandës nëse ajo do ta kërkojë atë.

Vështirësitë e Irlandës për t’u përballur me deficitin e lartë po kërcënojnë vlerën e Euros. Britania, e cila nuk e përdor Euron, ofroi sot ndihmë përveç asaj që mund të jepet nga Eurozona prej 16 vendesh.

“Ne do të bëjmë çka është në interesin e Britanisë. Irlanda është fqinja jonë dhe është në interes të Britanisë që ekonomia irlandeze të jetë e suksesshme dhe të ketë një sistem të qëndrueshëm bankar. Prandaj Britania është e gatshme ta ndihmojë Irlandën të marrë masat e nevojshme për t’u stabilizuar.”

Kreu i Bashkimit Evropian për ekonominë, Oli Ren thotë se oferta e Britanisë për ta ndihmuar Irlandën është e natyrshme duke marrë parasysh lidhjet e ngushta bankare mes dy vendeve.

“Është e natyrshme, sepse bankat britanike janë shumë të ekspozuara në Irlandë. Ekziston një lidhje e fortë bankare dhe financiare mes dy vendeve.”

Zoti Rehn tha dje se ministrat e financave të BE-së do t’i intensifikonin përgatitjet për ta ndihmuar Irlandën, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësuesit e BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së do të udhëtojnë këtë javë për në Irlandë për të vendosur si do ta zgjidhin çështjen e bankave.

Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian Joakin Almunia tha se një vendim duhet marrë sa më shpejt.

“Nuk kemi ndonjë datë të caktuar për marrjen e vendimit. Por duke marrë parasysh situatën e krijuar në Irlandë, një vendim duhet të merret sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, nuk mund ta dimë se cili do të jetë përfundimi që do të dalë nga bisedimet që po zhvillohen këto ditë.”

Shqetësimet se Irlanda mund të mos jetë në gjendje të paguajë koston e shpëtimit të bankave të saj, të cilat hasën vështirësi pas rënies së tregut të pasurive të patundshme, e kanë keqësuar gjendjen e krizën evropiane të borxheve.

Megjithatë, kryeministri irlandez Brajën Kauën thotë se vendi i tij nuk është në krizë dhe se qeveria është e financuar plotësisht deri në mesin e vitit tjetër.

XS
SM
MD
LG