Lidhje

Eurozona rrit fondin e shpëtimit financiar


Vendet e Eurozonës e rritën ndjeshëm fondin e shpëtimit financiar në më tepër se 1 trilion dollarë, përpjekja e tyre më e fundit për të shpëtuar nga falimentimi qeveritë me borxhe të mëdha.

Ministrat e financave të 17 vendeve të Eurozonës ranë sot dakord në Kopenhagë, që t’i shtojnë edhe 500 miliardë të tjerë vitin e ardhshëm fondit të ri të shpëtimit, i cili hyn në fuqi në muajin korrik. Evropa tashmë ka shpenzuar dhjetra miliarda dollarë për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë për t'i shpëtuar nga falimentimi.

Shtimi i fondit synon të mbrojë vende të eurozonës që rrezikojnë më tepër, si Italia, dhe Spanja, borxhet e të cilave janë shumë më të larta se ato të vendeve që tashmë kanë marrë ndihmë.

Analistët financiarë, FMN-ja dhe Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik patën bërë thirrje për krijimin e një fondi më madh shpëtimi. Por vende si Gjermania dhe Finlanda patën hezituar për dhënien e ndihmave shtesë. Gjermania dhe Franca, vendet me ekonomitë më të fuqishme të bllokut, në fillim të javës kishin shprehur hezitime për përmasat e fondit të shpëtimit, por në fund, Ministri francez i Financave, tha se ishte arritur marrëveshje.

XS
SM
MD
LG