Lidhje

Grevë nga dy sindikata greke kundër masave të ashpra ekonomike

  • Zëri Amerikës

Grevë nga dy sindikata greke kundër masave të ashpra ekonomike

Grevë nga dy sindikata greke kundër masave të ashpra ekonomike

Udhëheqësit evropianë po shprehin skepticizëm nëse plani i ri i masave ekonomike të Greqisë do ta fusë vendin në një rrugë të sigurtë ekonomike, madje ata po kërkojnë identifikimin e shkurtimeve të tjera të shpenzimeve para se t’i japin Athinës një paketë tjetër ndihmash. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble u tha sot ligjvënësve në Berlin se shkurtimet buxhetore për të cilat është zotuar Greqia do ta linin ende vendin me një borxh të madh, 136 për qind të GDP-së së vendit deri në vitin 2020, shumë më tepër se sa 120 përqindëshi i caktuar nga udhëheqësit evropianë. Ndërkohë po sot, mijëra njerëz dolën sot nëpër rrugët e Athinës, ndërsa sindikatat greke filluan një grevë dy ditëshe kundër masave të ashpra ekonomike.

Policia njoftoi se rreth 17 mijë njerëz u mblodhën për dy protesta në sheshin para parlamentit.

Greva e organizuar nga 2 sindikatat më të mëdha të vendit shkaktoi ndërprerjen e transportit publik, si dhe bënë që spitalet të funksiononin me personel të kufizuar.

Protestuesit janë të zemëruar nga masat e ashpra ekonomike, të cilat përfshijnë uljen e pagës minimale me 22 për qind dhe shkurtimin me 20 për qind të vendeve të punës në sektorin publik, në një vend të përfshirë nga recesioni për 5 vjet me radhë.

Ligjvënësit grekë thanë se kishin arritur një marrëveshje mbi masat e ashpra ekonomike të kërkuara nga udhëheqësit e institucioneve financiare ndërkombëtare, në mënyrë që vendi të merte këstin e ardhshëm të ndihmës financiare, por ministrat evropianë të Financave thanë se shkurtimet e shpenzimeve dhe të vendeve të punës nuk janë të mjaftueshme.

Pas takimit të mbrëmshëm në Bruksel, 17 ministrat e Financave të eurozonës shtuan kushte të reja për paketën tjetër të ndihmash prej 172 miliardë dollarësh për Greqinë.

Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Kloud Junker tha se parlamenti grek duhet të miratojë të dielën paketën e masave ekonomike, ndërkohë që Greqia duhet të ulë shpenzimet edhe me 430 milion dollarë të tjerë këtë vit dhe së treti udhëheqësit politikë grekë duhet të sigurojnë që këto masa do të vazhdojnë të zbatohen edhe pas zgjedhjeve të prillit.

"Nuk do të japin asnjë paketë ndihmash para zbatimit të masave ekonomike, sepse ne nuk mund të lejojmë një sistem të bazuar në premtime dhe në masa të pamjaftueshme ekonomike".

Kryeministri Junker thotë se duhet përmbushur çdo kërkesë para se ministrat e Financave të marrin një vendim përfundimtar, ndoshta në takimin e tyre të së mërkurës së ardhshme.

Greqia thotë se ka nevojë për paketën e ndihmave për t’u paguar kreditorëve të huaj 19 miliardë dollarë në muajin mars.

XS
SM
MD
LG