Lidhje

Cila është vlera e vërtetë e Facebook-ut?

  • Zëri Amerikës

Kompania Facebook ka filluar këtë javë një fushatë në kuadër të procesit për të filluar shkëmbimin e aksioneve të saj në bursë. Facebook shpreson të sigurojë fonde që kapin shumën e 10.6 miliard dollarëve, duke e bërë vlerën e kompanisë në treg të përafërt me atë të gjigandëve teknologjikë si Google dhe Amazon.com. Ndërkohë që shumë analistë besojnë se Facebook nuk do ta ketë të vështirë gjetjen e investitorëve, ka filluar të shtrohet pyetja nëse rrjeti më i madh social i botës ka në të vërtetë një vlerë aq sa ç’mendojnë aksionerët?

Fushata filloi në Nju Jork me themeluesin e Facebook-ut Mark Zuckerberg që po mundohet të bindë sa më shumë investitorë që të blejnë aksionet e Facebook-ut.

“Që nga fillimi kur po krijonim këtë program për një shkollë, kishim një ide se sa i përhapur mund të bëhej programi, por nuk ishim të sigurtë që do të ishim ne që do ta bënim këtë.”

Pak mund ta kishin imagjinuar se ajo që filloi si projekt në konviktin e universitetit tetë vite më parë do të tërhiqte 900 milion përdorues në mbarë botën dhe do të kishte një vlerë të barabartë me prodhimin e përgjithshëm të një vendi të vogël. Bazuar në çmimin prej 28 deri 35 dollarësh për aksion, analisti i tregjeve Max Wolf thotë se kompania mund të ketë një vlerë prej mbi 80 miliard dollarësh.

“Besoj se do ta kapin këtë vlerë. Çmimet e aksisoneve do të ngrihen në ditën e parë. Ata po mundohen të sigurojnë sa më shumë kapital në ofertën fillestare publike.”

Por jo të gjithë janë të bindur në aftësitë e Facebook-ut për të sjellë fitime.

“Unë nuk do të blija aksione të saj.”

Jeff Corbin, drejtues i firmës KCSA Strategic Communications tha për Zërin e Amerikës se bazuar në të ardhurat nga reklamat, Facebook ka një vlerë shumë më të vogël. Ai përdor të njejtën formulë vlerësimi si për firmën Google, e cila është pesë herë më e madhe se të ardhurat vjetore nga reklamat.

“Kjo formulë e përdorur për Facebook le të themi me 400 milion dollarë të ardhura dhe ta pesë-fishosh vlera e kompanisë del diku 20 deri 25 miliard dollarë dhe jo 100 miliard dollarë.”

Max Wolf e pranon se parashikimi aktual është i lartë por ai beson se Facebook ka një të ardhme të mirë.

“Kompania po rritet ndjeshëm dhe po ashtu edhe tregu.”

Megjithatë, analisti Corbin i këshillon investitorët jo profesionistë që të kenë kujdes.

“Ajo që mendoj se do të ndodhë është se nëse kompania nuk jep hollësi rreth planeve se si parashikon t’i shtojë të ardhurat, çdo tremujor ajo do të ketë rezultate zhgënjyese.”

Fushata e Facebook-ut në mbarë vendin padyshim që do t’u përgjigjet shqetësimeve të ngjashme nga invetitorët. Facebook pritet që të shkëmbejë aksionet e saj në bursën e Nju Jorkut për herë të parë më 18 maj.

XS
SM
MD
LG