Lidhje

E ardhmja e ekonomive të vogla bujqësore në Shtetet e Bashkuara


E ardhmja e ekonomive të vogla bujqësore në Shtetet e Bashkuara
E ardhmja e ekonomive të vogla bujqësore në Shtetet e Bashkuara

Fermat e vogla lokale po zhduken në Shtetet e Bashkuara. Shumë ferma kanë hapësira prej qindra hektarësh, përdorin makineri të rënda dhe punësojnë qindra vetë. Një fermë në Merilend është nga të fundit në llojin e saj.

Vetëm një orë në veri të Uashingtonit, Stefani Skuderi dhe prindërit e saj pensionistë e kanë pasur fermën e tyre Fox Hollow për afro tre dekada, një nga fermat e fundit të vogla në një zonë të pasur me lagje të zhvilluara dhe qendra tregëtare.

“Prodhimi ynë kryesor janë bagëtitë. Ne rrisim kafshë për mish si qengja, dhi, pula, gjela deti. Pra kryesisht mish dhe pastaj perimet u bënë aktiviteti ynë i dytë kur njerëzit donin të blenin prodhimet e kopshtit tim”.

Stefania punon kryesisht vetë në fermë. I shoqi dhe prindërit ndihmojnë nga pak. Shumica e klientëve të saj janë nga rrethinat dhe qytetet e vogla përreth. Ajo shet perime të freskëta me çmime të krahasueshme me ato të dyqaneve ushqimore. Por mishi i saj organik, pulat, dhitë dhe derri kushton dyfishin e çmimit në dyqan”.

“Sigurisht që njerëzit mund të shkojnë në dyqan, por nëse vërtet ka rëndësi cilësia e ushqimit që ha, mund të shkosh në një fermë të vogël, mund të blesh edhe sallatë dhe perime dhe e di që po ha ushqim të shëndetshëm. Dhe nëse kjo praktikë vazhdon, do të ketë plot ferma si kjo e jona”.

Fox Hollow është krejtësisht një fermë familjare. I ati i Stefanisë, Michael Rohr e bleu tokën në fillim të viteve ’80, pasi doli në pension nga ushtria. Më pas ai ia përcolli atë vajzës së tij. Stefania shpreson që t’ia përcjellë vajzës së saj 7 vjeçare Olivia. Majkëll Rohr thotë se fermat e vogla, lokale janë një traditë e rëndësishme.

“Sigurisht që ne nuk krahasohemi me kompanitë e mëdha të prodhimit. Por gjithsesi është e rëndësishme të mbështeten prodhuesit lokalë, si edhe të hash në mënyrë të shëndetshme”.

Përveçse shet direkt në dyqanin e fermës së saj, Stefania përdor edhe internetin për të vënë në treg mishin dhe perimet. Klientët mund të porosisin prodhime në faqen e Fox Hollow-t ose mund të gjejnë se cilat perime janë sezonale, si edhe të shohin informacionet e reja tek faqja e Facebook-ut e fermës. Familja i shet gjithashtu prodhimet çdo javë në tregun e fermerëve. Ruth Laughner është kliente e rregullt.

“Unë jam shumë e zënë dhe nuk kam kohë të rris ushqimin tim kështuqë më pëlqen ta blej të freskët dhe ta përdor gjatë javës”.

Stefani thotë se dy vitet e fundit ajo ka parë si është rritur interesi për fermat e vogla dhe për ushqimin lokal. Megjithatë ajo shton se bujqësia është një stil i vështirë jetese dhe i paparashikueshëm.

“Në rastin tim është i përshtatshëm sepse më krijon mundësinë të rri në shtëpi dhe të kujdesem për vajzën në verë. Siguroj disa të ardhura për të mbuluar disa shpenzime, por nuk do t’ia dilja dot vetë nëse burri im nuk do të punonte në Uashington”.

Pavarësisht nga sfidat, Stefania thotë se ëndrra e saj është që Fox Hollow të mbetet në fermë familjare, aq sa të ushqejë komunitetin dhe familjen e saj.

XS
SM
MD
LG