Lidhje

Kushet për kreditin e biznesit në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të shtrënguara

  • Armand Mero

Në Shqipëri një vrojtim i realizuar nga Banka Qendrore per tremujorin e dyte te ketij viti, nxjerr në pah se sërish kushet për kreditin e biznesit vazhdojnë të mbeten të shtrënguara, vecanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sidomos kur kërkesa për kredi lidhet me plane investimesh. Sipas Bankës, problemet specifike të sektorëve të biznesit, situata makroekonomike dhe ecuria e kredive me probleme, janë faktorët kryesor që ndikojnë në këtë sjellje tejet të kujdeshme të institucioneve kredidhënëse

Tremujori i dytë i këtij viti shënoi një shtrëngim të mëtejshëm të politikave të kredive të ndjekura nga bankat që veprojnë në tregun shqiptar. Këto politika janë aplikuar kryesisht ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme të cilat në vetvete përfaqësojnë edhe shumicën dërrmuese të aktivitetit sipërmarrës në Shqipëri, ndërkohë që nga vrojtimi i kryer ga Banka qëndrore konstatohet një lehtësim në dhënien e kredive për korporatat, ndonëse në një nivel më të ulët se sa në fillim të vitit.

Pjesa më e madhe e bankave të nivelit të dytë kanë ruajtur të njetin pozicion të mbajtur në tremujorin e parë, ndërsa ato që kanë aplikuar ndryshime, kanë qenë në kahun shtrëngues. Sipas studimit, standarde shtrënguese janë aplikuar si për kredinë e kërkuar për qëllime investimi ashtu edhe për financimin e kapitalit qarkullues. Këto politika bankat i kanë realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së marzheve për kreditë me rrezik më të lartë dhe rritjes së kërkesës për kolateral. Ndërkohë që rritja e madhësisë së kredisë të miratuar si dhe zgjatja e maturitetit maksimal të shlyerjes së kredisë janë përdorur si element disi lehtësues.

Sipas vrojtimit të Bankës Qëndrore faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010 janë: ecuria e kredive me probleme problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin e tij biznesi dhe situata makroekonomike në vend

Ajo që konstatohet është se politikat e ndjekura nga bankat duket të jenë në kundërtendencë me prirjet dhe kërkesat e biznesit. Kështu ato janë më të shtrënguara ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme, të cilat megjithate jane ato që aplikojnë më shumë për të marrë hua, ndërkohë që politikave lehtësuese ndaj korporatave nuk u përgjigjen kërkesat e ulta të këtyre të fundit për të marrë kredi.

Përsa i përket individëve vlerësohet se bankat kanë qenë më pak shtrënguese falë rritjes së konkurrencës por edhe përmirësimit të gjendjes së likuiditetit. Por nga ana tjetër gjendja financiare e individëve dhe situata e kredive me probleme kanë shërbyer si kundërpeshë ndaj kësaj tendence duke u shoqëruar dhe me një ulje të kërkesës e cila sipas ekspertëve të bankave është nxitur kryesisht nga përkeqësimi i besimit konsumator, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme si dhe perceptimi për shtrëngim të kushteve të kreditimit të aplikuara nga bankat.

Euro apo valutat e tjera mbizotërojnë kredidhënien, kjo sipas studimit të bankës për shkak të interesit më të ulët krahasuar me normat që apikohen për kredinë në lekë por edhe për shkak se bizneset një pjes të mirë të marrëdhënieve të tre financiare i ushtrojnë në euro. Nisur nga vlerësimi I ekspertëve të Bankava tremujori I tretë mund të sjellë një lehtësim të kushteve shtrënguese nga njëra anë dhe një rritje të kërkesës nga ana tjetër.

Për të stimuluar më tej kredidhënien, Banka Qendrore vendosi pak ditë më parë uljen e normës së interest me 0.25 për qind duke kërkuara nga bankat e nivelit të dytë të reflektonin me shpejtësi këtë ndërhyeje të saj e të rrisnin burimet e financimit të sektorit privat.

XS
SM
MD
LG