Lidhje

Peshkatarët e Luizianës flasin për ndikimin e naftës në Gjirin e Meksikës

  • Brian Wagner

Peshkatarët e Luizianës flasin për ndikimin e naftës në Gjirin e Meksikës

Peshkatarët e Luizianës flasin për ndikimin e naftës në Gjirin e Meksikës

Punonjësit në Gjirin e Meksikës po përpiqen të venë nën kontroll rrjedhjen masive të naftës që ka filluar të prekë florën dhe faunën përgjatë brigjeve jugore të Shteteve të Bashkuara. Sot inxhinierët e kompanisë BP vazhduan proçesin e uljes së kupolës gjigande për të ndalur rrjedhjen e nga një e çarë në platformën nënujore që ndodhi dy javë më parë. Zyrtarët thonë se nga java tjetër kupola prej çeliku do të jetë gati për funksionim. Rrjedhja e naftës ka krijuar shqetësime mbi mundësinë e ndotjes së peshkut. Brian Wagner i Zërit të Amerikës ishte me një ekip që vizitoi për herë të parë këtë zonë që nga rrjedhja masive e naftës.

Delacroix është ndalesa e fundit në famullinë St. Bernard të Luizianës para se të fillojë Gjiri i Meksikës.
Për 30 vjet me radhë, Warren Guidroz është marrë me gjuetin e gaforreve në këtë qytet që njihet me nofkën fundi i botës.
“Ishte një vit i mirë deri tani. Koha më mirë për gjuetinë e gaforreve sapo vinte. Tani nuk e di se ç’do të ndodhë. Shpresoj se gjendja e krijuar nuk do të na lerë pa punë.”

Gudroz mbush me karburant barkën për të dalë në det, për herë të parë pas dy javësh. Ai ka dëgjuar nga të tjerët se nafta ka arritur afër brigjeve. Por ai dëshiron të shohë me sytë e tij nëse rrjetat e gaforreve janë në gjendje të mirë.

“Shpresoj se ato janë ashtu siç i kam lënë. Nëse aty ka naftë, gaforret do të rrinë aty. Dhe ne nuk mund t’i xjerrim ato sepse autoritetet na e kanë ndaluar. Kështu që përsëri duhet t’i hedhim në ujë.”

Zyrtarët kanë pezulluar gjuetinë e peshkut në Gjirin e Zi dhe zonat e tjera të prekur nga rrjedhja e naftës. Nafta mund të kërcënojë gjithë sezonin e peshkimit për qindra njerëz.

Në rrjetën e parë nuk ka shenja nafte, vetëm baltë nga stuhia e kohëve të fundit. Normalisht, Guidoroz e hedh rrjetën përsëri për të kapur më shumë gaforre. Për shkak të rrjedhjes së naftës, ai do t’i marrë rrjetat në shtëpi për të qenë më i sigurt.
Ai thotë se askush nuk e di se sa e keqe është gjendja, ose çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme.

“Ne kemi bërë kurse mbi rrëziqet që vijnë nga ndotja, dhe askush nuk na thënë se nëse në det ka naftë nuk duhet të peshkosh. Por një zyrtar i mjedisit na tha të shkojmë e t’i marrim pajisjet që kemi vendosur në ujë. Nuk dimë çfarë të bëjmë.”

"Normalisht këto gaforre shiten mirë por për shkak të ndalimit të peshkimit, nuk kemi çfarë të shesim". Edhe djali i zotit Guidroz, Warren Junior është peshkatar. Ai ka parë me sytë e tij dëmet që shkaktoi uragani Katrina në vitin 2005. Ai brengoset se rrjedhja e karburantit mund të shkaktojë dëmë më të mëdha.

“Nëse nafta nuk arrin afër brigjeve, thonë se kjo do të jetë gjë e mirë për ne. Por nëse nafta vjen deri këtu, askush nuk na thotë se ç’do të bëhet sepse kjo nuk ka ndodhur më parë.”

Tani për tani, Guidroz nuk do të peshkojë, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për pastrimin e ujrave nga nafta.

XS
SM
MD
LG