Lidhje

OKB: Përmbytje të tjera në Pakistan, rreth 1 milion të shpërngulur që nga e mërkura


Kombet e Bashkuara thonë se përmbytje të tjera në pjesën jugore të Pakistanit kanë shkaktuar shpërnguljen e rreth 1 milion njerzve që nga e mërkura, duke përkeqësuar ndikimin e një katastrofe një mujore nga përmbytjet.

Zyrtarë të OKB-së thanë sot se viktimat e fundit të shpërngulura nga përmbytjet, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në provincën Sindh, ndërsa lumi Indus me nivele tepër të larta doli nga shtrati.

Autoritetet pakistaneze u dhanë urdhër banorëve të largoheshin nga qyteti historic i Thattas në provincën Sindh pasi lumi Indus çau një digë aty pranë. Dhjetra mijëra banorë filluan të largohen dje vonë.

Përmbytjet, që filluan para gati një muaji, kanë shkatërruar një pjesë të madhe të Pakistanit, duke filluar në veriun malor e duke u shtrirë në zonat bujqësore në jug të vendit. Kjo katastrofë ka shkaktuar rreth 1,600 të vdekur dhe ka lënë pa strehë deri në 20 milion banorë.

Shtetet e Bashkuara thonë dje se ka informata të besueshme se ekstremistët pakistanezë mund të venë në shënjestër punonjësit e huaj të ndihmave dhe ministri të qeverisë të angazhuara në përpjekjet e ndihmave për viktimat e pëmbytjeve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P.J. Crowley tha se zyrtarët i kanë marrë seriozisht kërcënimet dhe po punojnë me autoritetet lokale për të shtuar masat e sigurisë. Ai tha se kërcënimet dëshmojnë edhe një herë natyrën dashakeqëse të grupeve ekstremiste.

Zëdhënësi i operacioneve humanitare të Kombeve të Bashkuara, Mauricio Xhuliano, tha se çdo sulm ndaj punonjësve të ndihmave do të ishte çnjerëzor. Xhon Holms, nënsekretari i përgjithshëm i çështjeve humanitare, tha se punonjësit e ndihmave nuk do të dekurajohen dhe se kërcënime të tilla janë bërë edhe para përmbytjeve.

Një zëdhënës i talibanëve vuri në pikëpyetje motivet e ndihmës amerikane dhe i tha një agjencie lajmesh se talibanët nuk do të tolerojnë ndihmën e “hordhive” të huaja.

XS
SM
MD
LG