Lidhje

Kaosi i resë vullkanike prek edhe Shqipërinë


Kaosi i resë vullkanike prek edhe Shqipërinë
Kaosi i resë vullkanike prek edhe Shqipërinë

Kaosi i shkaktuar në Europë nga mbyllja e shumë aeroporteve për shkak të resë vullkanike që shpërndahet nga Islanda ka krijuar probleme edhe në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, "Nënë Tereza".

Ndryshe nga dita e djeshme sot kanë rinisur fluturimet e pjesshme drejt Italisë. Të hapura janë vetëm dy destinacione, Bari dhe Roma. Fillimisht në mëngjes u njoftua për fluturimet edhe drejt Bolonjës, Firences, Torinos, Romës dhe Barit, por vendimi i mëpasshëm i autoriteteve italiane të aviacionit civil bëri që fluturimet drejt veriut të Italisë të anulloheshin. Megjithatë dy avion u nisën drejt Bolonjës, por u detyruan të ndryshojnë destinacion dhe të ulen në Romë. Po sot u nis edhe një avion i linjës austriake Austrian Airlines drejt Vjenës, ndërkohë që fluturimi tjetër i mbrëmjes është ende në pikëpyetje dhe do të varet nga një vendim i autoriteteve austriake. Kanë vazhduar normalisht ndërkohë fluturimet drejt Athinës dhe Stambollit.


Shqipëria nuk është prekur nga reja vullkanike, por kaosi në fluturime është pasojë e problemeve të shkaktuara në vendet e Europës perëndimore. Probleme të cilat penguan në fundjavë kthimin në Tiranë, i parashikuar për të premten, edhe të kryeministrit Sali Berisha i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Bruksel. Pas shumë peripecishë dhe udhëtimesh me makinë në Gjermani e më pas në Vjenë, pa mundur të gjejë aeroporte të hapura, kryeministri udhëtoi dje me makinë nga kryeqyteti austriak, për të mbërritur në kufirin shqiptar mbrëmë vonë në pikën e Murriqanit në Shkodër.



XS
SM
MD
LG