Lidhje

Shtraus-Khan: Rritja ekonomike nuk mjafton për të kapërcyer krizën

  • Niko Kolombant

Shtraus-Khan: Rritja ekonomike nuk mjafton për të kapërcyer krizën

Shtraus-Khan: Rritja ekonomike nuk mjafton për të kapërcyer krizën

Megjithëse shumë vende në botë po përjetojnë rritje ekonomike dy vjet pas krizës globale, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar thonë se kjo rritje nuk mjafton për përmirësimin e jetës së pjesës më të madhe të popullatës.

Shefat e financave që morën pjesë në takimet e pranverës së Bankës Botërore dhe FMN-së kanë ngritur shqetësimet për nivelet e papërballueshme të borxheve qeveritare dhe politikat e ngurta të shkëmbimit të valutës, si dhe efektet ekonomike të katastrofave të fundit natyrore në Japoni dhe trazirave në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Drejtori Menazhues i FMN-së Dominik Shtraus-Khan e vuri theksin tek ritmet e larta të papunësisë në shkallë botërore:

"Nuk mjafton vetëm rritja ekonomike pasi teoria e vjetër se rritja ekonomike do të sjellë të mirat e tjera nuk funksionon më. Prandaj duhet patjetër që jo vetëm të merremi me problemin e rritjes ekonomike, por duhet të kemi parasysh si do të shndërrohet kjo rritje në hapje të vendeve të punës”.

Kreu i FMN-së tha se kjo gjendje ka rezultuar në trazira në vende si Egjipti apo Tunizia, ku ritmet ekonomike shiheshin si positive nga ekspertët ekonomikë, por papunësia dhe pakënaqësia publike mbetej e madhe.

Shtraus-Kahn tha se ishte gjithashtu i shqetësuar për rritjen e çmimeve të karburantit dhe ushqimit në vendet në zhvillim. Ai u shpreh se megjithëse ekonomitë e vendeve të ndryshme po raportojnë shifra pozitive rritjeje, pjesa më e madhe e njerëzve nuk po shohin përfitime nga kjo prirje:

"Pjesa më e madhe e njerëzve në rrugë nuk shohin përmirësime në jetët e tyre. Nuk është detyra e këtij institucione të përmbushë këtë boshllëk, por gjithashtu ne nuk mund të mbyllim sytë para këtij fakti. Pra në diskutime të tilla, ministrat duhet ta kenë parasysh këtë realitet dhe besoj se një fakt i tillë është pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit në këto takime”.

Gjatë një konference për shtyp dje, zyrtarët e FMN-së theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit shumëpalësh ndërmjet ministrave të financave për të ndihmuar në ndryshimin e kësaj prirjeje ekonomike.

Ministrat u bënë thirrje të gjithë aktorëve ekonomikë të tregohen aktivë sa më parë në përgjigje të rreziqeve globale për t’i prerë rrugën një krize tjetër ekonomike në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG