Lidhje

Parashikime të zymta në prag të takimit të FMN-së dhe Bankës Botërore

  • Zëri Amerikës

Parashikime të zymta në prag të takimit të FMN-së dhe Bankës Botërore

Parashikime të zymta në prag të takimit të FMN-së dhe Bankës Botërore

Parashikimet për rritje të ngadaltë ekonomike në vendet e zhvilluara kanë shtuar alarmin në prag të takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahet në Uashington nga 23 deri më 25 shtator. Analistët thonë se debatet ka të ngjarë të përqëndrohen te situata në Evropë.

Sistemi financiar botëror po përballet me sfidën më madhe që nga kriza financiare e vitit 2008. Ekonomistët thonë se në takimin e tyre vjetor, hartuesit e politikave evropiane pritet të dëgjojnë se ata nuk janë duke bërë sa duhet për krizën e borxhit, që nuk po jep shenja zgjidhjeje.

Ja ç’thotë Domeniko Lombardi, ekspert monetar në Institutin Brookings në Uashington.

"Deri tani, evropianët nuk kanë arritur të hartojnë një strategji gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës së eurozonës, e cila tashmë është përhapur”.

Mundësia e zgjerimit të krizës si pasojë e një falimentimi financiar të Greqisë, e shoqëruar me rritjen e ngadaltë ekonomike në Shtetet e Bashkuara, po çon, sipas FMN-së, në një fazë të rrezikshme për ekonominë botërore.

Kryeekonomisti i FMN-së, Olivie Blanshar thotë se perspektiva e një rigjallërimi global është dobësuar mjaft gjatë tre muajve të fundit.

"Tregjet janë bërë më skeptikë në lidhje me aftësinë e politikanëve dhe të qeverive, për të stabilizuar borxhin publik. Shqetësimet janë përhapur nga periferitë e Evropës te vendet më të mëdha si dhe tek të tjerët, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara."

Zoti Blanshar thotë se pa politika të forta për të zgjidhur problemet në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, besimi do të vazhdojë të bjerë. Por analisti Domeniko Lombardi thotë se nuk duhet shpresuar shumë te marrëveshjet politike.

"Fondi Monetar mund të veprojë si lehtësues i dialogut që ministrat e financave nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe Evropën, do të zhvillojnë në Uashington. Por FMN-ja nuk mund të bëjë më shumë se kaq."

Shefja e FMN-së, Kristinë Lagardë thotë duhet veprim konkret për të ulur rrezikun e një recesioni ekonomik.

"Ekonomitë e zhvilluara, në mënyrë të veçantë, përballen me një rigjallërim anemik dhe plot pengesa, me nivele të papranueshme të papunësisë. Kriza e borxheve në Eurozonë është përkeqësuar, tensionet financiare janë në rritje dhe, pa veprime të përbashkëta e të guximshme, ekziston rreziku real që ekonomitë e mëdha të rrëshqasin prapa në vend që të ecin përpara."

Edhe pse diskutimet e këtyre ditëve pritet të përqëndrohen te rivendosja e stabilitetit në ekonomitë e zhvilluara, analistët thonë se thirrjet për veprime ka të ngjarë të vijnë nga ekonomitë me rritje të shpejtë si Kina dhe Brazili, të cilat mbështeten mjaft te eksportet drejt vendeve të zhvilluara.

XS
SM
MD
LG