Lidhje

Gejts: Priten më shumë viktima në Afganistan, por strategjia e forcave aleate do të funksionojë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha dje se pothujase i gjithë kontigjenti i forcës shtesë që presidenti Barak Obama njoftoi në dhjetor ka mbërritur në Afganistan. Në një konferencë të përbashkët shtypi në Kabul me Presidentin e Afganistanit Hamid Karzai, sekretari Gejts parashikoi më shumë viktima në radhët e forcave amerikane dhe atyre afgane.

Sekretari Gejts tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Afganistan kanë më në fund burimet e nevojshme “për të filluar të shënuar rezultate të ndjeshme dhe të qendrueshme”. Por ai tha se përparimi nuk do të bëhet nga kosto.

"Ashtu siç kemi pritur dhe paralajmëruar, forcat e koalicionit si dhe ushtria dhe policia afgane po pësojnë më shumë viktima, ndërkohë që avancojnë në zonat e dominuara prej vitesh nga talebanët. Megjithatë, armiqtë tanë po paguajnë një çmim të lartë dhe po ndjejnë një presion më të madh se kurrë”.

Zoti Gejts tha se presioni ndaj tyre do të shtohet me zgjerimin e operacioneve ushtarake të koalicionit. Ai tha se beson që kjo të çojë në riintegrimin e luftëtarëve talebanë dhe pajtimin me udhëheqësit kryesorë të këtij grupi.

Sekretari Gejts vuri në dukje se krahas 30 mijë trupave amerikane shtesë, në Afganistan janë stacionuar edhe 7 mijë trupa të reja ndërkombëtare, rreth tre të katërtat e kontigjentit të premtuar, si dhe është trefishuar numri i diplomatëve amerikanë dhe i punonjësve të ndihmave. Po ashtu është shtuar ndjeshëm edhe numri dhe aftësia profesionale e forcave afgane të sigurimit.

Sekretari Gejts vuri gjithashtu në dukje se ndihma amerikane në para ka sjellë korrupsion mes zyrtarëve afganë. Ai tha se po merren masa për ta ndryshuar këtë realitet dhe mirëpriti përpjekjet anti-korrupsion të qeverisë afgane.

"Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohen se fondet amerikane dhe ndihma të tjera të huaja nuk nxisin korrupsionin. Ambasadori Aikenberi dhe gjenerali Petreas po vënë në veprim procedura të reja dhe masa kontrolli për ta realizuar këtë objektiv. Po ashtu, ne mbështesim plotësisht qeverinë afgane në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”.

Sekretari Gejts tha se ai dhe Presidenti afgan, Karzai, janë të një mendimi se përpjekjet anti-korrupsion duhet të udhëhiqen nga afganët. Zoti Karzai bëri një mbrojtje pasionante të qendrimit të tij ndaj korrupsionit, i gjendur përballë kritikave ndërkombëtare në rritje. Ai fajësoi shtypin për paraqitjen jo të saktë të përpjekjeve të tij.

"Shpesoj që ju të bëni punën tuaj për të paraqitur përpjekjet e popullit afgan dhe të miat si president i këtij vendi drejt ndërtimit të një Afganistani me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë, në mënyrë që ai të jetë një shtet i mbështetut në ligje dhe rregulla të përshtatëshme, një shtet juridik dhe jo një shtet abuziv policor”.

Presidenti afgan akuzoi elementët e huaj për angazhimin në arrestimin dhe keqtrajtimin e një personi të dyshuar për korrupsion. Ai tha se kjo ishte arsyeja që ndërhyri për lirimin e personit në fjalë.

Zoti Karzai tha gjithashtu se vendimi i tij për të ndaluar kontraktuesit e huaj për katër muaj, me përjashtim pranisë së tyre në komplekset e huaja, është përfundimtar. Zyrtarët ameriknaë thonë se ky vendim kundërthënës do ta bëjë të vështirë për diplomatët dhe punonjësit e ndihmave të qarkullojnë të sigurt në vend për të bërë punën e tyre.

XS
SM
MD
LG