Lidhje

Imigrantët debutojnë me sukses në skuadrën kombëtare gjermane të futbollit


Fitorja e ekipit gjerman të futbollit në vend të tretë në botërorin 2010 ka tërhequr vemendjen edhe rreth prejardhjes së futbollistëve të kësaj skuadre. 11 nga 23 lojëtarët e kombëtarës gjermane kanë origjinë imigrantësh – numër rekord ky që udhëheqësit gjermanë thonë se flet për integrimin e suksesshëm në vendin e tyre. Megjithatë, kritikët thonë se ndarjet dhe tensionet shoqërore ekzistojnë ndërmjet imigrantëve dhe shumicës gjermane.

Gjermania zuri vendin e tretë në Botërorin 2010 me një gol të shënuar nga Sami Kedira, njëri nga shumë lojëtarët me prejardhje të huaj në ekipin kombëtar të Gjermanisë.

Futbollisti Kedira, i ati i të cilit është tunizian, shënoi me kokë në minutën e 82-të për t’i dhuruar Gjermanisë fitoren 3 me 2 ndaj Uruguait. Dhjetë pjesëtarë të tjerë të ekipit gjerman janë me origjinë të huaj, nga Bosnia, Brazili, Gana, Nigeria, Polonia dhe Turqia. Diversiteti etnik i skuadrës është cilësuar nga udhëheqësit gjermanë si model për integrimin e imigrantëve të vendit.

Popullata prej 15 milion imigrantësh dhe pasardhësit e tyre përbën gati një të pestën e popullsisë 82 milionëshe të Gjermanisë. Komuniteti i mërgimtarëve është rritur ndjeshëm që prej viteve 1960, kur Gjermania ftoi punëtorë mysafirë nga Turqia dhe vende të tjera për të ulur mungesën e fuqisë punëtore.

Gjermania reformoi ligjet më 1999 për t’ua bërë më të lehtë imigrantëve që të merrnin shtetësinë gjermane dhe vitet e fundit ka lejuar edhe shtetësi të dyfishtë, gjermane dhe të huaj. Politikani i lindur në Turqi, Ozcan Mutlu përfaqëson Partinë e Gjelbër në Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit. Ai u bë shtetas gjerman para 20 vjetësh, por thotë që shumë prej kolegëve të tij e shohin atë me sy tjetër.

“Mund të ndjehem gjerman; mund të ëndërroj se jam gjerman; mund të sillem si gjerman; mund edhe të shaj në gjermanisht. Por sërish jam ai turku i lagjes dhe kjo dëshmon se sa problematike është gjendja”.

Zoti Mutlu thotë se shumë gjermanë akoma besojnë në shoqëri homogjene dhe nuk e mirëpresin diversitetin etnik. Ai përmend rastin e anëtarit të bordit të bankës qendrore, Thilo Sarrazin, i cili tha muajin e kaluar se imigrantët po e bënin Gjermaninë “më të prapambetur” për shkak se ata kanë arsim të kufizuar dhe shkallë të lartë lindjesh.

Imigrantët dhe pasaardhësit e tyre kanë ankesa të ngjashme ndaj Partisë së djathtë Nacional-Demokratike të Gjermanisë, e cila ka vende në tre parlamente shtetesh.

Partia Nacional-Demokrate kundërshtoi pjesëmarrjen e një lojtari zezak në ekipin kombëtar gjerman për Botërorin 2006. Partia thoshte se një kombëtare “e vërtetë” duhet të përbëhej vetëm nga lojëtarë të bardhë. Një gjykatë e shpalli këtë parti fajtore për nxitje të urrejtjes racore.

Një burim tjetër pakënaqësie për komunitetin e imigrantëve të Gjermanisë është arsimi. Një raport i qeverisë gjermane, që u botua këtë muaj, thotë se fëmijët e imigrantëve kanë më pak mundësi sesa fëmijët gjermanë që të pranohen në shkolla elitë për t’u përgatitur për universite.

Raporti gjithashtu thotë se imigrantët dhe fëmijët e tyre përballen me vështirësi serioze për të gjetur punë. Robert Schneider, zyrtar i Komisionit për Integrim në Senatin e Berlinit, fajëson për papunësinë e imigrantëve çregullimin ekonomik pas ribashkimit të Gjermanisë më 1990.

“Ribashkimi i Gjermanisë ishte katastrofë për mërgimtarët në Berlin sepse ata humbën vendet e punës. Shumë prej tyre humbën punën sepse të gjithë sektorët industrialë u mbyllën dhe vende e reja të punës që u hapën ishin të një niveli më të lartë, ku shumica e imigrantëve nuk kanë mundësi të punësohen”.

Mirëpo disa gjermanë i akuzojnë imigrantët se po shkëputen nga shoqëria gjermane, duke banuar në lagje të izoluara, ku flitet shumë pak gjermanisht. Deputeti konservator Joachim Pfeiffer, i partisë në pushtet Unioni Demokristian, thotë se qeveria duhet të sigurohet që njerëzit flasin një gjuhë të përbashkët.

“Në Gjermani, ne flasim gjermanisht. Nuk është në avantazhin e turqve, dhe ne kemi afro dy milion e gjysmë njerëz me prejardhje turke në Gjermani, që nuk janë në gjendje të marrin pjesë në shoqëri, në fuqinë punëtore ose në aspekte të tjera normale të jetës në vendin tonë”.

Qeveria gjermane thotë se po përballet me shtimin e kërcënimeve të veprimtarive terroriste nga islamikë radikalë. Zyrtarët po përpiqen të frenojnë radikalizmin duke inkurajuar imamët që t’u predikojnë të rinjve myslimanë të jenë të moderuar.

Një organizatë tjetër që përpiqet të mënjanojë ndarjet etnike është Radyo Metropol, një radiostacion në Berlin që trasmeton për popullatën turke në tetë qytete të Gjermanisë. Ky është i vetmi radiostacion në Gjermani që transmeton muzikë turke dhe një dialog në gjuhët turke dhe gjermane.

XS
SM
MD
LG