Lidhje

Një paisje e re për pakësimin e aksidenteve automobilistike


Një paisje e re për pakësimin e aksidenteve automobilistike
Një paisje e re për pakësimin e aksidenteve automobilistike

Aksidentet automobilistike u marrin jetën mijëra njerëzve çdo vit por me një teknologji më të mirë, disa nga këto aksidente mund të parandalohen. Shkencëtarët gjermanë kanë ndërtuar një paisje të re që quhet, lexuesi i mendjes, i cili mund të tregojë nëse një shofer ka në plan të shkelë frenat madje përpara se kemba e tij të vihet mbi pedal.

Një shofer vullnetar mban në kokë një kapuç të pajisur me elektroda. Përmes një teknlogjie të ngjashme me EKG-në, elektroencefalografia, mat sinjalet e trurit tek ky shofer.

Shkencëtarët kanë arritur të kapin sinjalet që prodhon truri i shoferit kur ai ndjen nevojën për të frenuar. Përmes analizimit të sinjaleve, shkencëtarët mund të zbulojnë synimin e shoferit për të frenuar edhe para se ai të vërë këmbën mbi pedalin e frenës. Ja se çfarë thotë shkencëtari Shtefan Haufe me Insitutin e Teknologjisë të Berlinit.

“Kemi zbuluar se truri dërgon disa sinjale karakteristike, para se të ndodhë shkelja e pedales së frenave.”

Shkencëtarët kanë gjetur se duhen 13 të qindat e sekondës nga momenti që truri zbulon nevojën për të frenuar, deri në momentin që këmba merr komandën për të frenuar. Kur makina lëviz me një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, kjo do të thotë 3,6 metra më shumë për të realizuar frenimin, një distancë që mund të jetë përcaktuese mes një përplasje të lehtë dhe një aksidenti serioz.

Shoferëve vullnetarë, që morën pjesë në prova, ju kërkua që të mbanin një distancë prej 20 metrash nga makina përpara në ekranin virtual. Në të 18 shoferët testues, u arrit të matej sinjali i turit për një rast emergjent frenimi para se shoferi të kishte rastin të shkelte fizikisht pedalin e frenave.

Sipas shkencëtarit Benjamin Blankertz, ai priste që të kapte sinjale vetëm tek disa vullnetarë, por fakti që të gjithë treguan sinjale të forta ishte një surprizë.

“Kur filluam këtë studim thjesht kishim shpresa të konfirmonim njohurinë tonë nga eksperimentet e mëparshme, por rezultatet nga të gjithë vullnetarët ishin shumë të mira".

Shoferët vullnetarë po ashtu u testuan edhe për muskujt e këmbëve, analizë kjo për të përcaktuar me saktësi kur filloi kemba të lëvizë për të shtypur pedalin e frenave. Sipas zotit Haufe, ajo që i befasoi shkencëtarët ishte forca dhe rregullsia e sinjaleve të trurit.

“Dihet që të gjitha veprimet planifikohen në tru, përfshi edhe frenimin. Sinjalet specifike dhe të qarta na befasuan. Sidomos parashikimi para se të shkelësh pedalin.”

Por a do të bëhet diçka e zakonshme vënia e një kapuçi me elektroda në kokë sikurse tashmë përdoret rripi i sigurimit? Zoti Haufe thotë se kjo është e mundur por do të duhet kohë.

Aktualisht duhen 45 minuta për të vënë siç duhet kapuçin aktual për matjen e sinjaleve të trurit. Të 64 elektrodat duhet të bien në kontakt me kokën përmes përdorimit të një materiali xhelatinoz, gjë që nuk është aspak e mundshme në jetën e përditshme. Por shkencëtari gjerman thotë se ky është vetëm hapi i parë drejt së ardhmes ku matja e sinjaleve të trurit do të jetë pjesë e masave të sigurisë në ngarjen e makinës.

“Fillimisht synimi ynë ishte për të demostruar mundësitë që ofron neuro-teknologjia. Hapi tjetër është përmirësimi i zbatimit në praktikë.”

Por ka edhe probleme të tjera lidhur me përdorimin praktik të paisjes. Për shembull, truri i disa shoferëve dërgon sinjale për të frenuar në një rast emergjent, por pastaj mund të ndryshojë planin nëse ndryshon situata.

“Patjetër që ka situata ku reagimi fillestar i shoferit është që në rast rreziku të frenojë. Por, përshembull, nëse rruga është e lagur, shoferi mund të ndryshojë mendjen pas një momenti dhe të vendosë të bëjë një manovër tjetër për të shmangur aksidentin. Por përsëri mund të zbulojmë sinjalet për shkeljen emergjente të frenave pavarësisht se vendimi përfundimtar ishte që të mos shkelet pedali.”

Sipas shkencëtarit, hapi tjetër është teknika për të zbuluar një pikë kur merret vendimi përfundimtar, dhe jo vetëm impulsi fillestar. Vetëm atëherë kjo teknikë mund të përdoret nëpër makina. Përfundimisht, kërkuesit presin që kjo teknikë të përdoret së bashku me teknologji të tjera siç janë radarët dhe sistemet me lazër që mund të zbulojnë pengesat në rrugë.

XS
SM
MD
LG