Lidhje

Tiranë: Gjoba ndaj 150 njësive tregtare për sigurinë ushqimore


Tiranë: Gjoba ndaj 150 njësive tregtare për sigurinë ushqimore
Tiranë: Gjoba ndaj 150 njësive tregtare për sigurinë ushqimore

Inspektorët e shëndetit publik të kryeqytetit shqiptar po asgjësojnë disa qindra tonë ushqime të skaduara jashtë standarteve europiane të ushqimit. Pas kontrolleve intensive, ata konstatuan se prodhuesit e mëdhenj të ushqimeve me bazë mishin dhe qumështin i zbatojnë në maksimum standartet higjeno-sanitare, por këto shkelen më pas në mijëra dyqane dhe minimarkete që janë përhapur në të gjithë Tiranën.

Drejtori i shëndetit publik të kryeqytetit, Mëhill Geci, thotë se për herë të parë në jetën mjekësore të Tiranës, me urdhër të ministrit të shëndetësisë, është kontrolluar cdo shitore e vogël dhe e madhe për standartet europiane të garancisë ushqimore. Nga 1 mijë e 500 subjekte të kontrolluara janë gjobitur mbi 150 dyqane që nuk zbatojnë rregullat e konservimit dhe frigoriferimit.

“Kemi vënë mbi 150 gjoba dhe ndëshkime, por në thelb nuk është ky qëllimi ynë kryesor. Ne duam t’i ndërgjegjësojmë pronarët e këtyre subjekteve se tashmë në Tiranë nuk mund dot të ushtrojnë këtë lloj tregtie pa cilësi. Ne pretendojmë që jemi qytetarë europianë, ndaj duhet t’u përmbahemi normave dhe standarteve të Bashkimit Europian. Ata nuk mund të tregtojnë më në rrugë, jashtë kushteve sanitare. Këtë duhet ta mësojnë shpejt tregtarët e vegjël që shesin në mjedise të hapura pa përgjegjësi, duke u bërë problem për shëndetin e qytetarëve dhe inspektorët e mjekësisë” - tha ai.

Zoti Geci u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos blejnë ushqimet e tyre në kasapanat dhe tregjet e improvizuara të trotuareve, sepse ato të gjitha janë jashtë çdo garancie shëndetësore dhe janë jashtë çdo kontrolli dhe përgjegjësie mjekësore. Sipas tij, këta tregtarë jo vetëm nuk zbatojnë ligjet e mjekësisë, por as nuk dëgjojnë asnjë këshillë dhe urdhërat për të mbrojtur ushqimet që shesin, dhe as nuk mbajnë asnjë përgjegjëi ligjore për sëmundjet që përhapin.

“Unë dua t’u bëj një apel subjekteve tregtare që tashmë duhet të kthejnë sytë nga Bashkimi Europian, të ndjekin standartet dhe kushtet mjekësore të punës. Gjithashtu duhet t’u bëj një apel edhe qytetarëve; ata duhet të jenë shumë të vëmendshëm në blerjen e produkteve ushqimore, të heqin dorë nga blerja e frutave, perimeve, mishit, qumështit dhe ushqimeve të tjera në rrugë dhe të drejtohen nëpër supermarkete dhe subjekte tregtare me standarte të larta sigurie, të cilat Tirana nuk i ka me pakicë. Duke mos blerë më qytetarët aty në trotuare të pista dhe duke i gjobitur vazhdimisht inspektorët, ata shitës të papërgjegjsëhm do të dekurajohen dhe nuk vijnë më” - tha ai.

Mjekët e shëndetit publik kërkojnë me këmbëngulje që Tirana të bëhet një qytet europian të paktën nga pikëpamja e tregjeve. Janë disa tregje në kryeqytet që ata i gjobitin dhe paditin periodikisht për shkelje shëndetësore, por ka 3-4 vjet që bashkia nuk i ndryshon ato, siç duhet të vërë dorë me ligjet për mbrojtjen e qytetarëve.

Ekspertët besojnë se disa mijëra fëmijë e të rritur që janë helmuar nga ushqimet dhe kanë mbushur repartet e detoksikimit nëpër spitale publike e private janë viktima pikërisht të këtyre tregjeve jashtë çdo kontrolli që lulëzojnë në çdo trotuar ku ulen përtokë dhe shesin fermerët. Ata janë viktima të qumështit, akulloreve dhe mishit që shitet në çdo minimarket me frigoriferë të fikur.

Në kapitullin ekonomik, Bashkimi Evropian i ka vendosur kushtet higjeno-sanitare dhe standartet e konservimit dhe frigoriferimit në krye të parametrave teknikë që Shqipëria duhet të plotësojë para se të kërkojë anëtarësimin dhe para se të dalë masivisht me prodhimet e saj në tregjet e kontinentit. Industria e konservimeve dhe përpunimeve ushqimore po merr një zhvillim të madh 10 vitet e fundit në Shqipëri, por ajo shpesh kompromentohet nga tregjet e vogla e të papërgjegjshme që vazhdojnë të mbeten jashtë kontrollit.

XS
SM
MD
LG