Lidhje

OBSH: Rreth një çerek milion fëmijë humbasin shikimin për shkak të mungesës së vitaminës A

  • Stiv Baragona

OBSH: Rreth një çerek milion fëmijë humbasin shikimin për shkak të mungesës së vitaminës A

OBSH: Rreth një çerek milion fëmijë humbasin shikimin për shkak të mungesës së vitaminës A

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se së paku një çerek milioni fëmijë humbasin shikimin për shkak të mungesës së vitaminës A dhe gjysma e tyre vdesin brenda një viti pas kësaj. Një editorial me tone të ashpra, botuar në revistën shkencore britanike Nature, fajëson rregulloret e tepërta për bimët e modifikuara gjenetikisht se po vonon shpërndarjen e një lloj orizi, i quajtur orizi i artë, që do të mund ta zgjeronte praninë e vitaminës A në mbarë botën.

Orizi i artë është lloj orizi i modifikuar gjenetikisht që prodhon karotinën beta, një burim i vitaminës A, i cili i jep këtij drithi një ngjyrë mes të verdhës dhe portkallisë. Në formën e tij natyrore, orizi nuk e përmban këtë ushqyes të rëndësishëm. Dhe për këtë arsye, mungesa e vitaminës A është mjaft e përhapur në disa pjesë të Afrikës dhe Azisë Juglindore, ku orizi është ushqimi kryesor.

Shkencëtarët morën gjenet që mundësojnë prodhimin e karotinës beta nga lloje tjera bimësh dhe i injektuan ato në bimën e orizit. Kur filloi projekti më 1990, mendohej se kishte pak shanse për sukses, thotë njëri nga shpikësit e orizit të artë, Ingo Potrikus, profesor në pension i botanikës në Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë.

“Konsiderohej shumë ambicioz për shkak se duhej që në bimën e orizit të implantohej një numër i panjohur gjenesh - të paktën gjashtë gjene të ndryshme. Në atë kohë, shkencëtarët gëzoheshin po të transferonin një gjen të vetëm”.

Profesor Potrikus thotë se ata ia dolën mbanë nga viti 1999. Por shton se para vitit 2012, orizi i artë nuk do t’u jepet dot si ushqim njerëzve që kanë nevojë për të dhe fajëson për këtë rregullat e tepruara ligjore. Në editorialin që botoi në revistën Nature, ai i përshkruan kështu pasojat.

“Këto rregullore janë përgjegjëse për vdekjen dhe verbimin e qindra mijëra, madje miliona fëmijëve të pafajshëm në mbarë botën. Këto argumente mjaftojnë që të mendohet për t’i ndryshuar ato”.

Zoti Potrikus dëshiron që rregulloret të ndryshohen për shkak se institutet kërkimore në mbarë botën veç orizit të artë po punojnë edhe për bimë të tjera që po ashtu mund të ndihmonin për të ushqyer njerëzit në vendet në zhvillim. Megjithatë, thotë ai, për shkak se nxjerrja e tyre në treg kërkon dhjetë vjet më shumë dhe se kushtojnë dhjetë herë më tepër se bimët e zakonshme, këto bimë po kalben në raftet e dyqaneve. Ai thotë se orizi i artë është rritur disa herë me sukses për më se një dekadë dhe është koha që të hiqet ndalimi i tij.

“Megjithë deklaratat se kjo bimë paraqet rrezik të madh, nuk ka asnjë rast të dokumentuar për dëme as ndaj mjedisit e as ndaj konsumatorit”.

Këto fjalë i kanë zemëruar kritikët e teknologjisë së modifikimit gjenetik. Dag Gurian-Sherman i organizatës mjedisore “Bashkimi i Shkencëtarëve të Shqetësuar” shpjegon se nuk mund të thuhet që bimët e modifikuara gjenetikisht janë të sigurta sepse askush nuk ka kryer një studim epidemiologjik në shkallë të gjerë për të parë sesi reagon organizmi ndaj tyre. Ai thotë se këto bimë mund edhe të jenë të sigurta. Por nuk e dimë saktësisht derisa të bëjmë prova.

“Argumenti i zotit Potrikus tingëllon kështu, ‘Kemi disa ilaçe çudibërëse që mund të shërojnë sidën, malarien apo çfarëdo sëmundje. Por nuk kemi pse t’i testojmë këto ilaçe sepse njerëzit janë duke vuajtur’”.

Zoti Gurian-Sherman thotë se një arsye pse orizi i artë duhet t’i nënshtrohet provave të sigurisë është se vitamina A dhe kimikatet të lidhura me të mund të jenë tepër helmuese. Të tjerët nuk e shohin këtë si argument bindës.

“Është sikur të thuash se po hëngre shumë karrota, mund të helmohesh nga vitamina A. Kjo thjesht nuk ndodh”.

Ky është Houarth Buis, drejtor i një projekti të quajtur “Harvest Plus”, që merret me shartimin e bimëve ushqyese për vendet në zhvillim. Zoti Buis është pjesëtar i bordit të projektit Orizi i Artë. Ai thotë megjithatë se projekti Harvest Plus vendosi t’i shmanget përdorimit të teknologjisë së modifikimit gjenetik, të njohur edhe si transgjenetikë.

“Mendoj se do të bëjmë përparim të dukshëm edhe me mënyrat e zakonshme të shartimit, gjë që nuk do të mund ta bënim përmes transgjenetikës thjesht për shkak të sistemit rregullativ”.

Për shembull, shkencëtarët po përftojnë një misër të pasur me vitaminë A përmes mënyrave të zakonshme të shartimit. Ndërsa rregulloret kërkojnë prova të shumëfishta të orizit të artë të modifikuar gjenetikisht, llojet e reja të misrit të përmirësuar nuk do të ngrejnë shqetësim.

Dag Gurian-Sherman i Bashkimit të Shkencëtarëve të Shqetësuar thotë se teknologjia e modifikimit gjenetik është në thelb më e shtrenjtë dhe kërkon më shumë kohë se sa shartimi i zakonshëm. Ai do të parapëlqente që fondet e kufizuara të shpenzoheshin më tepër për mënyrat e zakonshme të shartimit. Por nëse provat tregojnë se orizi i artë është i sigurt dhe i efektshëm, atëherë duhet të merret parasysh, thotë ai. Pyetja që do të shtrohet është se sa prova duhet të bëhen?

XS
SM
MD
LG