Lidhje

SHBA: Akuzat ndaj Goldman Sachs nxisin nevojën e reformave

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

Wall Street, New York

Wall Street, New York

Goldman Sachs, kompania gjigande financiare që po përballet me akuza për manipulime, thotë se fitimet e saj në tremujorin e parë pothuajse u dyfishuan krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar dhe ishin mbi 3 miliardë dollarë.

Përfitimet e bankës nga këmbimet në bonde, mallra dhe valutë i shtuan rezultatet pozitive.

Raporti i fuqishëm i të ardhurave vjen në të njëjtën ditë kur autoritetet britanike thanë se do të hapin një hetim zyrtar mbi aktivitetin e kompanisë.

Hetimi britanik është i dyti pas një çështje gjyqësore të ngritur nga regullatorët amerikanë të premten e kaluar që pretendojnë se Goldman Sachs shiti investime në hua që dihej se do të falimentonin por asnjëherë nuk i informoi investitorët për rrezikun potencial.

Përpjekjet e administratës Obama për të reformuar industrinë e financave po marrin një nxitje të re pas akuzave nga Komisioni për Këmbimet dhe Letrat me Vlerë. Por analistët thonë se akuzat civile të ngritura kundër Goldman Sachsit të premten mund të çojnë në një analizë më të hollësishme të mënyrës sesi firmat financiare bëjnë biznes.

Aksionet e kompanisë Goldman Sachs ranë për të dytën ditë dje pas akuzave të premten se firma amerikane e investimeve mashtroi investitorët e saj. Gjigandi i Wall Streetit i mohon akuzat e ngritura nga komisioni duke e vënë indistrinë financiare në qëndër të vëmendjes.

"Akuzat e ngritura shtojnë nivelin e ndërgjegjësimit rreth mashtrimeve në Wall Street, sjelljeve egoiste që duhen mbajtur nën kontroll. Nevoja e reformave në shërbimet financiare do të ndodhte por ky rast e bën më të sigurtë reformën", thotë ekonomisti Piter Morici.

Disa ekonomistë fajësojnë mungesën e regulloreve në industrinë e huave të nivelit të dytë për kolapsit financiar që pasoi.

Analistët thonë se rezultatet e hetimit mbi praktikat e investimit nga Goldman Sachs mund ta ndihmojnë presidentin Obama, që do të mbajë një fjalim të enjten mbi temën e nevojës së reformës financiare.

"Dhe në se nuk ndryshojmë shkaqet që na çuan në krizë, ajo do të përsëritet", tha presidenti Obama.

Pikat kryesore të paketës së reformës përfshijnë rregulla më të forta mbi derivativët financiarë dhe letrat me vlerë, si dhe një fond shpëtimi prej 50 miliardë dollarësh për t'u paguar nga bankat.

Reforma parashikon krijimin e një agjencie për mbrojtjen e konsumatorëve që do të shohë interesin e investitorëve dhe jo të bankave.

Republikanët nuk e pëlqejnë këtë projektligj.

Senatori Mitch McConnell thotë se masa e propozuar i hap rrugën ndihmave të shpërtimit në të ardhmen.

"Në fakt, në se e analizon me kujdes, masa do të çojë në shpëtime të pafundme të bankave të Wall Streetit nga taksapaguesit".

Por senatori demokrat Christopher Dodd, i cili e paraqiti këtë projektligj, tha se ky argument nuk qëndron.

"Projekligji ynë mban Wall Streetin përgjegjës dhe vendos transparencë në mënyrë që bankat të mos bëjnë bixhoz me paratë tona në kornizën e sistemit financiar".

Senati amerikan filloi debatin mbi reformën financiare. Analistët thonë se tregjet e huaja do të vëzhgojnë me kujdes. Akuzat ndaj Goldman Sachs kanë tronditur tregjet që nga Azia e deri në Evropë.

XS
SM
MD
LG