Lidhje

Parku kombëtar Grand Keniën në Arizona


Parku kombëtar Grand Keniën në Arizona
Parku kombëtar Grand Keniën në Arizona

Në rubrikën tonë të përjavëshme “Parqet Kombëtare të Amerikës”, do t’ju sjellim sot pamje nga Kanioni i Madh në Arizona. Ky është një kanion shkallë shkallë i gdhendur nga Lumi Kolorado. Presidenti Thiodor Ruzvelt ishte një nga mbrojtësit më të fuqishëm të zonës në Kanionit të Madh dhe e vizitoi atë shumë herë, pasi shkonte atje për gjueti dhe për të vrojtuar pejsazhet e tij të jashtëzakonshme. Të ndjekim xhirimet nga Kanioni i Madh.

Një pamje që i kalon kufijtë e imagjinatës, një nga mrekullitë më të dhëna të natyrës, Kanioni i Madh në Arizona. Në thellësitë e tij njeriu është përballë formacionesh gjeologjike prej miliarda vjetësh. Kjo është stuktuara e planetit tone, me shtresa guri dhe dheu, epokë pas epoke.

Në vitin 1776, Andre Francisco Garces, një prift françeskan erdhi këtu dhe i vuri emrin këtij burimi ujor Lumi me Ngjyrë të Kuqe, është fjala për Lumin Kolorado. Por ende në shekullin e 19-të kanioni i madh ishte një zonë e panjohur. Më pas këtu erdhi një amerikan, major i forcave të Unionit gjatë Luftës Civile, i cili kishte humbur krahun në betejën e Shilohut, por ai nuk e humbi kurrë dashurinë për të eksploruar. Xhon Uesli Pauëll zbuloi edhe një herë Kanionin e Madh. Ishte viti 1869.

Në ditët e sotme këtu vinë mijëra njerëz për të parë këtë vepër arkitektonike, madhështore të natyrës. Një pejsazh kompleks dhe i sofistikuar, me një thellësi prej rreth dy kilometrash. Përgjithësisht, vizitorët zbresin deri në tabanin e kanionit dhe pastaj ngjiten me mushka, por disa, ata më të guximshmit e bëjnë më këmbë zbritjen. Kjo rrugë prej 12 kilometrash të çon në shtratin e lumit. Zbritja, megjithëse gjithë pluhur, është relativisht e lehtë, por pastaj ngjitja e pashmangëshme është tepër e vështirë.

Kryearkitekti i kësaj mrekullie të jashtëzakonëshme është Lumi Kolorado. Me një gjatësi prej mbi 2300 kilometrash, nga burimi në Malet Shkëmbore në pjesën veriore të Kolorados e deri në derdhje në Gjirin e Kalifornisë, ai kalon nëpër 19 kanione, por asnjë prej tyre nuk është si Kanioni i Madh.

Të shtunën e ardhshme do t’ju sjellim pamje nga Parku Olimpik me një majë mali gjithnjë të mbuluar me akull dhe dëborë. Por ky park përfshin edhe 100 kilometra plazhe me një pamje dramatike në brigjet e Oqeanit Paqësor. Këtu deti dhe toka takohen si një kompleks shkrepash, shkëmbinjsh të rrumbullakosur dhe përplasje dallgësh. Serinë "Parqet Kombëtare të Amerikës" mund ta shikoni edhe në Internet në adresën zeriamerikes.com si dhe në YouTube.com/zeriamerikes.

XS
SM
MD
LG