Lidhje

Tymnajat e famshme në kufirin mes Karolinës së Veriut dhe Tenesit


Tymnajat e famshme në kufirin mes Karolinës së Veriut dhe Tenesit
Tymnajat e famshme në kufirin mes Karolinës së Veriut dhe Tenesit

Kreshtë pas kreshte, të mbuluara me pyje, përgjatë kufirit mes Karolinës së Veriut dhe Tenesit shtrihet parku kombëtar i vargmaleve Grejt Smoki (Great Smoky Mountains), Tymnajat. I njohur në botë për shumllojshmërinë e bimëve dhe dhe kafshëve, për bukurinë e maleve të tij të vjetër dhe për gjurmët e kulturës së pasur të Apalasheve të jugut, ky është parku kombëtar më i vizituar në Shtetet e Bashkuara.

Tymnajat. Ishin banorët e tij të parë që i dhanë kësaj mrekullie të natyrës emrin që mban edhe sot. Çerokit, të cilët jetonin në luginat dhe për gjatë bankinave të lumenjve e quajtën atë Sha-ko-na-ke, vendi i tymit blu. Retë që janë vazhdimisht në lëvizje, zhvendosen dhe bien nga një kreshtë në tjetrën, krijojnë në këtë tokë një atmosferë me të vërtetë misterioze.

Reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që faqet e maleve t’i mbulojë një gjelbërim i dendur. Avujt e ujit dhe mbeturinat e yndyrnave nga drurët e pyjeve hedhin një mjegull blu dhe vesë në hapësirën e parkut nga majat e maleve në lugina.

Kolonët nga ishujt britanikë gjetën rrugën për këtu në fund të viteve 1700 dhe në fillim të viteve 1800, ata ishin irlandezë, skocezë dhe anglezë. Ata ndërtuan kasolle të thjeshta në rrëzë të maleve dhe kodrave. Jeta ishte e rëndë dhe bujqësia e vështirë në këtë tokë shkëmbore, por nëpërmjet peshkimit, gjuetisë, mbledhjes së manaferrave dhe prodhimit të mjaltit, kolonët mbajtën veten dhe ruajtën pavarësinë e tyre. Ata u bënë edhe artizanë të mirë. Shfrytëzimi me zgjuarsi i pyjeve për ndërtmtari nga ana e tyre është i pakrahasueshëm. Kariket prej kallami, rrotat prej druri, instrumentet muzikore të gdhendura me dorë, tezgjahu, jorganët dhe ngjyrosjet natyrale praktikohen ende në zonën e Tymnajave.

Këta njerëz kanë edhe një traditë proverbiale dhe duket se gojëdhënat janë pjesë e jetës së tyre të përditëshme. Në prej tyre thotë: “Zoti të respekton kur punon, por ai të do kur këndon”.

Por, fatkeqësisht, mund të vijë një ditë kur tingujt e instrumenteve muzikorë me tela e harqe të mos dëgjohen më nëpër lugina, kur jehona e maleve të mos mbartë më atë mënçurinë popullore poetike,... dhe askush të mos mbajë mend dizenjon e sofistikuar të jorganit të familjes, apo artin e drurit të gdhendur me aq mjeshtëri. Por tani për tani ato janë të gjitha pjesë e pandarë e këtyre pyjeve dhe kodrave, sëbashku me retë që enden kreshtave të Tymnajave.

XS
SM
MD
LG