Lidhje

Greqia kërkon aktivizimin e paketës së ndihmave të BE-FMN

  • Zëri Amerikës

Greqia po bën thirrje për fillimin e zbatimit të një pakete ndërkombëtare ndihmash për të luftuar krizën e borxhit në rritje. Kryeministri Jorgo Parandreu bëri një kërkesë zyrtare sot për një paketë të përbashkët nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar. Ndihma kap shifrën e 40 miliardë Eurove. Kjo paketë ka filluar të hasë rezistencë politike dhe popullore, veçanërisht në Gjermani dhe zyrtarët evropianë thonë se disa nga hollësitë ende po negociohen.

Kryeministri grek Jorgo Papandreu kërkoi fillimin e zbatimit të një pakete të përbashkët financiare të Eurozonës dhe FMN-së për ta nxjerrë vendin nga kriza e borxhit. Kryeministri Papandreu tha se i ka kërkuar ministrit të financave Jorgo Papakostantinou të bëjë një kërkesë zyrtare për zbatimin e planit.

"Qeveria dhe populli grek kanë trashëguar një vend që i ngjan një varke gati për t’u mbytur, një vend pa prestigj që ka humbur respektin e miqve dhe partnerëve, një ekonomi që u la e pambrojtur nga grykësia e spekulatorëve”.

Kryeministri grek tha se tregjet nuk kanë reaguar pozitivisht ndaj masave të marra nga Greqia dhe se tani paketa e ndihmave është e nevojshme.

Paketa e shpëtimit do t’i japë Greqisë hua nga vende të tjera të Eurozonës me një shumë prej 30 miliardë eurosh dhe një normë interesi gati 5 përqind, si dhe rreth 10 miliardë euro nga FMN-ja. Deri tani qeveria greke kishte insistuar se preferonte të merrte borxh në treg pa kërkuar ndihmë. Por dje kostot e huave u rritën në nivele alarmante duke shkuar në gati 9 përqind.

Athina insiston se objektivi i saj për të pakësuar defiçitin me gati 4 përqind në vitin 2010 mbetet i pandryshuar. Ekonomisti Vagelis Agapitos këmbëngul se masat e forta duhet të vazhdojnë.

“Reformat që nga spitalet, menaxhimi i kostos, reformat në sektorin publik duhet të vazhdojnë. Reformat duhet të bëhen edhe në mentalitet. Greqia ka nevojë të nisë një faqe të re”.

Tregjet e aksioneve në Azi ranë sot ndërsa euroja vazhdoi rënien e kohëve të fundit. Agjencia evropiane e statistikave tha se defiçiti buxhetor i Greqisë për 2009-ën ishte 13,6 përqind e prodhimit të përgjithshëm bruto nga 12,9 përqind që mendohej më parë. Ky nivel është më shumë se katër herë më i lartë se ai që pranohet nga BE-ja për 16 vendet që përdorin euron.

XS
SM
MD
LG