Lidhje

Prodhimi i gjelbër i etanolit në Luiziana

  • Isabela Çoçoli

Prodhimi i gjelbër i etanolit në Luiziana

Prodhimi i gjelbër i etanolit në Luiziana

Plantacionet e kallamsheqerit në Luiziana i kanë përqendruar përpjekjet në prodhimin e gjelbër të biokarbureve. Një grup i madh profesionistësh të talentuar nga Amerika e Jugut dhe Afrika e Jugut kanë ardhur në këtë shtet jugor amerikan për të shkëmbyer përvojën dhe njohuritë e tyre me vendasit në transformimin e mullinjve të sheqerit në objekte të prodhimit të biokarbureve.

Duke shfrytëzuar kallamin e sheqerit, industria amerikane e etanolit po përparon me sukses. Ky objekt ndodhet në shtetin e Luizianës të goditur nga uraganet Katrina dhe Rita që i shkaktuan dëmeve të mëdha industrisë bujqësore dhe është i pari i këtij lloji në Shtetet e Bashkuara.

Rendëll Xhonson, zëdhënës i kompanisë “Karburantet e gjelbra” të Luizianës, thotë se industria e re e prodhimit të etanolit nga kallamsheqeri po e gjallëron shtetin duke ofruar një prirje të gjelbër. Në këtë rajon të Gjirit të Meksikës, disa mullinj të vjetër e të braktisur sheqeri janë vënë përsëri në funksionim, por jo për të prodhuar sheqer.

“Qëllimi ynë është të prodhojmë etanol në katër rajone të Luizianës duke ndjekur shembullin e Amerikës së Jugut në prodhimin e këtij biokarburi, nga një burim që ndikon pak në ushqimin botëror. Ne nuk përdorim misrin, por kallamin e sheqerit që është një bimë tropikale që rritet me shumicë në Luiziana. Ne po përpiqemi gjithashtu ta kultivojmë atë edhe më shumë në pjesën jugore të Luizinës, në mënyrë që të kemi prodhim jo vetëm për 120 ditë por 330 ditë në vit”.

Krahasuar me misrin, sheqeri do të jetë një artikull me shumë peshë në tregun amerikan të biokarbureve, duke patur veçanërisht parasysh energjinë fosile të përdorur për prodhimin e tij. Gjithashtu, ky është një eksperiment i shkëlqyer për industrinë e etanolit që është kritikuar ashpër për përdorimin e karburantit nga misri, thotë Mario Kortez, i cili ka ardhur nga Kolombia për të punuar me këtë grup profesionistësh që merren me përpunimin e sheqerit “të gjelbër”.

“Ky ka qënë një model i zbatuar për më shumë se 30 vjet në Brazil dhe në Amerikën e Jugut. Kjo kompani në Luiziana po vë në jetë projektin e parë të bazuar në saharozë për të gjeneruar karburant të gjelbër nga kallami i sheqerit, një projket që ka mbështetjen dhe i shërben synimit të qeverisë amerikane për prodhimin e energjisë gjithënjë e më të gjelbër”.

Brenda një periudhe 10 vjeçare, Luiziana do të ketë katër uzina të prodhimit të etanolit dhe tre mullinj sheqeri që sëbashku do të prodhojnë rreth 500 milion litra etanol në vit nga kallami i sheqerit. Pritet që në një të ardhme jo të largët, Amerika do të ketë edhe uzina të tjera të prodhimit të etanolit me bazë celuloze dhe saharoze.

Zyra e Departamentit amerikan të Energjisë për Programin e Biomasës thotë se ky departament ka investuar fonde të konsiderueshme në laboratoret, universitetet dhe në industrinë e vendit që merren me biokarburet, që kur etanoli është bërë epiqendra e karburanteve alternative në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG